Italianët: Bregdeti shqiptar, i ngjashëm me Karaibet! Raport optimal cilësi-çmim

Agjencitë italiane të lajmeve po rekomandojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë si destinacion turistik.
Pas agjencisë “ANSA”, edhe agjenci të tjera si “TGCOM” dhe “Siviaggia” vlerësojnë potencialin turistik të Shqipërisë, që e konsiderojnë si një destinacion që duhet zbuluar.

“Shqipëria po bëhet një ndër destinacionet alternative të pushimeve të italianëve. Me hapjen e resorteve të reja dhe me linjat e reja të fluturimeve ajrore nga Italia, Shqipëria është vendosmërisht destinacioni më i synuar për sezonin veror të 2017” shkruan “Siviaggia”.

Ndërsa rekomandon si destinacione zonat bregdetare të jugut të vendit, kjo agjenci e mbyll artikullin e saj duke parashikuar se Shqipëria është gati për të nisur sfidën e saj për t’u kthyer në “mbretëreshën e turizmit”.

“Ata që janë të zgjuar po shkojnë që tani në Shqipëri, kur pushimet kushtojnë relativisht pak” e mbyll artikullin kjo agjenci.

Ndërsa TGCOM, krahas vlerësimeve pozitive për Shqipërinë, evidenton se plazhet shqiptare janë të ngjashëm me ato tropikale dhe kanë çmime të lira.

“Deti, në Shqipëri, është sinonim i pushimeve “low cost”. Mes detit dhe kulturës, mes historisë e argëtimit, Shqipëria është një destinacion në rritje i Mesdheut, me një raport optimal mes cilësisë dhe çmimit” shkruan TGCOM që evidenton se plazhet ngjasojnë me ato të Karaibeve dhe se shqiptarët janë shumë mikpritës./Scan

Share Button