Italia mbështet Shqipërinë për anëtarësimin në BE

Kryeministri i Italisë, Paolo Gentiloni, ka theksuar se “ka ardhur koha” për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri italian, Gentiloni, është takuar në Romë me homologun e tij të Shqipërisë, Edi Rama. Pas takimeve ku është diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimeve rajonale dhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dy kryeministrat kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp.

Duke shprehur mirënjohje për progresin që Shqipëria ka bërë në vitet e fundit, Gentiloni ka bërë disa vlerësime në lidhje me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ai është shprehur se “Ka ardhur koha për fillimin e negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE. Duke filluar nga Këshilli i BE-së në dhjetor besoj se do të ketë data të përcaktuara për të arritur një rezultat brenda vitit 2018.”

Paolo Gentiloni, ndër të tjera stabilitetin e Ballkanit e ka cilësuar si “një aset shumë i vlefshëm që nuk duhet humbur.”

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke dhënë mesazhe në lidhje me procesin e anëtarësimit të vendit të tij në BE ka theksuar: “Shqipëria ka bërë çdo gjë për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Jam i sigurtë se në etapën e parë me ndihmën e Italisë dhe vendeve të tjera mund të hidhen hapat për të filluar negociatat e anëtarësimit.”

Ndërkohë, në lidhje me debatet rreth pavarësisë së mundshme të administratës autonome të Katalonjës, kryeministri italian tha se në kontekstin kushtetues duhet të respektohet legjislacioni spanjoll dhe se duhet të shmanget çdo tension.

Share Button