Itali, shpëtohen 1 mijë emigrantë

Forcat e rojës bregdetare italiane janë angazhuar gjatë natës në një seri operacionesh që kanë çuar në shpëtimin e rreth 700 emigrantëve klandestinë në Kanalin e Siçilisë, ndërkohë që 400 të tjerëve po u shkohet në ndihmë. Vetëm të premten ishin shpëtuar në tërësi 2.500 refugjatë. Të dyja ndërhyrjet janë kryer në ujërat përreth ishullit të Lampeduzës, rreth 40 milje nga bregu dhe në to janë përfshirë edhe motovedetat e Rojës Bregdetare të ishullit. Fillimisht janë shpëtuar 94 klandestinë, njoftimi për të cilët mbërriti në Centralin Operativ të Romës nga Roja Bregdetare përmes telefonit satelitor. Pasi lokalizoi njësinë në vështirësi, motovedeta mundi të kryejë marrjen e emigrantëve dhe t’u japë atyre ndihmën e parë. Më pas janë shpëtuar 580 emigrantë të tjerë, të cilët janë transportuar me tre motovedeta.
Mjeti lundrues me të cilin po udhëtonin u lokalizua nga një avion i rojës bregdetare, i cili dha alarmin tek autoritetet. Duke parë numrin e lartë të refugjatëve në bord, në zonë janë dërguar tre njësi shpëtimi, që kanë realizuar transportin e tyre. Në fund, një varkë tjetër me 400 refugjatë është lokalizuar nga një tjetër motovedetë, falë sinjalizimit nga një peshkarexhë italiane. Operacionet e shpëtimit, sipas mediave italiane, janë ende në zhvillim. Pritet që pak më vonë klandestinët të zbarkojnë në Port Empedokle.

Share Button