Irak, nga gërmadhat në Mosul u nxorrën 2 mijë e 650 kufoma të civilëve

Në qytetin Mosul të Irakut, janë nxjerrë 2 mijë e 650 kufoma të civilëve nga gërmadhat si pasojë e operacioneve kundër organizatës terroriste DEASH, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori për shëndetësi në Mosul, Dr. Luveys Hebabe në një prononcim për gazetarin e AA-së theksoi se: ”Në Mosul deri më tani 2 mijë e 650 kufoma të civilëve janë nxjerrë nga gërmadhat për t’u dërguar në mjekësinë ligjore dhe në qendra shëndetësore të ndryshme”. Hebabe njoftoi se kufomat janë nxjerrur nga zona e “Mosulit të vjetër” në pjesën perëndimore të qytetit.

Hebaba tha se punimet për nxjerrjen e kufomave nga gërmadhat kanë filluar pas operacionit për çlirimin e qytetit të Mosulit nga DEASH-i më 10 korrik duke bërë të ditur se çdo kufomë e nxjerrë është regjistruar.

Megjithëse qyteti është çliruar tërësisht nga kjo organizatë, Hebaba tha se ende ka kufoma nën disa ndërtesa. “Ekipet e mbrojtjes civile vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’i nxjerrë kufomat nga gërmadhat, veçanërisht në zonat e vështira”, tha ai.

– Vazhdon ndalesa për hyrje në Mosulin e Vjetër

Nga ana tjetër, koloneli Abdulhadi Abbasi në ushtrinë e Irakut, ka njoftuar se është duke vazhduar ndalesa për hyrje në disa zona të Mosulit të Vjetër, edhe pse ka mbaruar operacioni i çlirimit të Mosulit nga DEASH-i para dy muajve.

Duke rikujtuar se ndalesa mund të hiqet vetëm në rast se nxirren të gjitha trupat e viktimave nga gërmadhat, Abbasi tha se civilët vetëm atëherë mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

Ushtria e Irakut mori Mosulin tërësisht më 10 korrik, pas operacioneve ushtarake që zgjatën gati nëntë muaj, e cila ishte nën kontrollin e DEASH-it që nga qershori i vitit 2014.

Gjatë operacioneve ushtarake, shumë viktima civile të cilët humbën jetën janë nën gërmadha për shkak të bombardimeve “të gabuara” të organizuara nga forcat e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequra nga SHBA dhe avionët e Forcave Ajrore të Irakut dhe sulmet vetëvrasëse të DEASH-it me shpërthime të automjeteve me bombë.

Share Button