Indonezi, evakuohen 130 mijë persona pas aktivizimit të vullkanit Agung

Arrin në 130 mijë numri i personave të evakuuar pas aktivizimit të vullkanit Agung në ishullin Bali të Indonezisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB) në Indonezi thuhet se 130 mijë persona të cilët jetojnë në vendbanimet përreth vullkanit, pas ngritjes së alarmit në nivelin më të lartë u vendosën në kampet dhe objektet sportive në rajonet e sigurta.

Njoftohet se janë depozituar produktet ushqimore dhe të ndihmës së parë për qytetarët e rajonit të cilët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Në rajon pati dridhje të shumta ndërkaq vullkani lëshon gaz dhe hi deri në 50 metra. Zyrtarët njoftuan se vazhdojnë punimet për ndryshimin e drejtimit të fluturimeve në rajon.

Pas aktivizimit të vullkanit një numër i madh i turistëve janë detyruar që t’i japin fund pushimeve në ishullin Bali.

Vullkani Agung, i cili ndodhet në rajonin më turistik të shtetit, së fundmi ka shpërthyer në vitin 1963 ku humbën jetën mbi 1.100 persona.

Share Button