Indi, gjykata shpall “përdhunim” martesën me një vajzë të mitur

Gjykata Supreme në Indi ka marrë një vendim të mërkurën me të cilin shpall përdhunim, martesën me një vajzë të mitur, me çka secila marrëdhënie e tillë intime, do të dënohet në përputhje me kodin penal të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Një vendim i tillë është bërë pas një procesi gjyqësor në Gjykatën Supreme në të cilën kërkohej të lejonte një vajzë të martuar nën moshën 18 vjeçe, të mund të parashtronte një raport në polici, i njohur si Raporti i Parë i Informacionit, nëse ka qenë e detyruar të bënte marrëdhënie seksuale me burrin e saj.

Sipas kodit të ri penal të Indisë, burri kryen një vepër penale nëse bën marrëdhënie intime me një vajzë nën moshën 18 vjeçare, me ose pa pëlqimin e saj, por më parë, ai ka qenë i lejuar të kryejë marrëdhënie intime me gruan e tij nëse ajo ka qenë mbi moshën 15 vjeçare.

Vendimi i sotëm i Gjykatës Supreme thotë se një ligj i tillë është antikushetues.

“Nëse një burrë kryen marrëdhënie seksuale me gruan e tij e cila është nën moshën 18 vjeçe, ai ka shkelur ligjin. Gruaja e mitur mund të denoncojë burrin brenda afatit 12 mujor”, thuhet në ligjin e ri.

Ndërsa shprehu shqetësimin rreth martesave të fëmijëve në Indi, trupi gjykues tha se ligjet për drejtësi shoqërore nuk zbatoheshin me frymën me të cilën ato ishin miratuar nga Parlamenti.

Gjykata gjithashtu u kërkoi qeverive qendrore dhe shtetërore të marrin hapa proaktiv për të ndaluar martesat e fëmijëve në vend.

Share Button