Indi, 21 të vdekur nga rrëmuja në një stacion hekurudhor

Policia e Indisë thotë se të paktën 21 persona e kanë humbur jetën në një rrëmujë që ndodhi në stacionin hekurudhor në Mumbai gjatë shirave të dendura në mëngjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyrtari i policisë Rajaram Patel tha se edhe 20 persona të tjerë janë lënduar si pasojë e rrëmujës dhe shembjes së mbikalimit. Ai tha se ishte një situatë kaotike sepse njerëzit tentonin që sa më parë të largohen nga vendngjarja.

Policia thotë se rrëmuja ka ndodhur për shkak të zërave se është shembur mbikalimi i këmbësorëve, pas së cilës u shembën shtyllat e betonit.

“Ndodhi një kaos i përgjithshëm, sepse njerëzit donin që sa më parë të largoheshin nga mbikalimi. Shërbimet mjekësore kanë transportuar të plagosurit në spital”, tha policia.

Rrëmujat vdekjeprurëse janë një dukuri mjaft e zakonshme në festivalet fetare në Indi, kur shumë njerëz mblidhen në zona të vogla pa masa të kontrollit.

Share Button