Iftar përpara objektit të xhamisë së rrënuar në Serbi

Shoqata Merhamet e cila vepron në kuadër të komunitetit islam në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë organizoi një program iftari përpara objektit të xhamisë së rrënuar e cila ndodhet në lagjen Fusha e Zemunit në Beograd, raporton Anadolu Agency (AA).

Më shumë se 200 persona kanë marrë pjesë në programin e iftarit i cili është zhvilluar përpara xhamisë e cila u rrënua javë më parë nga autoritetet serbe me arsyetimin se “nuk kishte leje ndërtimi”.

Përfaqësuesi i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet) Hüseyin Yılmaz, deklaroi se ka mbetur i habitur përpara objektit të rrënuar të xhamisë. “Nuk kam ardhur në vete për një moment kur kam parë xhaminë në këtë situatë. Kjo është një situatë e papranueshme. Besoj se kjo do të zgjidhet në kohën më të shpejtë”, tha ai.

Ndërsa edhe Muftiu i zonës Srem që është e lidhur me Fushën e Zemunit, Emin Zejnulahu ka vënë në dukje se janë në pritje të një përgjigjeje nga qeveria për fatin e xhamisë e cila është e lidhur me komunitetit islam të Serbisë, ku dhe në ditët në viijm do të qartësohen kërkesat për rindërtimin e xhamisë.

– “Ndajmë zhgënjimin e shkaktuar nga xhamia e rrënuar”

Kryetari i Shoqatës Merhamet, Hajrudin Shahiç ka vënë theksin se përgjatë muajit të Ramazanit kanë planifikuar të organizojnë iftare jashtë Bosnjë e Hercegovinës. “Iftarin e kësaj mbrëmjeje e kemi bërë në Fushën e Zemunit. Mes muslimanëve ndajmë zhgënjimin e shkaktuar nga xhamia e rrënuar dhe urojmë që problemi të zgjidhet sa më parë të jetë e mundur”.

Edhe një nga pjesëmarrësit në iftar Dalijeta Cerimi ka bërë të ditur se do të vazhdojnë të falin namazin përpara xhamisë së rrënuar për sa kohë që nuk do të bie shi dhe ka shtuar se xhamia do të rindërtohet edhe më bukur.

Më 25 maj pati tentime për të rrënuar objektin e xhamisë në lagjen Fusha e Zemunit por një gjë e tillë u pengua pasi në vend u mblodhën rreth 200 qytetarë. Pas kësaj ekipet e rrënimit erdhën në orët e para të mëngjesit më 26 maj bashkë me një numër të madh të forcave të rendit ku dhe për dy orë shembën objektin e xhamisë në ndërtim.

Zyrtarët e komunitetit islam të Serbisë kanë bërë të ditur se nuk kanë patur lejen e ndërtimit por se kishin kryer aplikimin për regjistrimin e objektit dhe pretendojnë se në të njëjtën zonë afërsisht 500 shtëpi dhe një kishë e ndërtuar nuk posedojnë leje ndërtimi.

Share Button