I nxehti “armiku” i zemrës, çfarë shenjash nuk duhet të neglizhoni!

Askush nga ne nuk është imun nga problemet me zemrën në këto ditë që sa vijnë e bëhen më të nxehta. Vapa është “armiku” kryesor jo vetëm i personave që vuajnë nga patologji kardiake, por i kujtdo që ekspozohet gjatë, në orët më të nxehta të ditës. Por cilat janë simptomat që nuk duhet të neglizhojmë dhe këshillat praktike që duhet të ndjekim gjatë verës për të pasur një zemër të shëndetshme? Si duhet të veprojmë në rast se dikush pranë nesh ka shenjat e një “goditjeje nga i nxehti”? Mjeku kardiolog Dr. Edjon Hajro, shpjegon të gjitha masat parandaluese dhe kur duhet të jemi vigjilentë.

Doktor, me shtimin e të nxehtit shtohet edhe numri i personave që shfaqin çregullime apo patologji kardiake, mund të na shpjegoni çfarë ndodh me organizmin tonë kur temperaturat rriten dhe pse ndikimi është i drejtëpërdrejtë tek zemra?

Që trupi ynë të funksionojë normalisht duhet të ruajë një temperaturë konstante 36.6 gradë Celsius. Për të evituar luhatje të mëdha të temperaturës së trupit, oganizmi mbrohet nëpërmjet disa mekanizmave termo- rregullatore në varësi të temperaturës së mjedisit.

Me anë të djersitjes dhe avullimit të djersës, trupi ynë humb nxehtësi. Për të ruajtur një temperaturë konstante, kapilarët në lëkurë zgjerohen dhe rrisin qarkullimin e gjakut në to duke çuar në ulje të presionit të gjakut dhe rritjen e frekuencës kardiake. Ndërsa në ambiente të ftohta ndodh e kundërta, kapilarët ngushtohen. Në të dyja rastet pulsimet në zemër shtohen dhe mund të ketë pasoja tek pacientët me patologji kardiake. Eshtë e rëndësishme të theksojmë se perceptimi që ne kemi ndaj të nxehtit varet shumë nga niveli i lagështisë së ambientit përreth, sa më shumë rritet lagështia aq më shumë ndiejmë të nxehtin sepse aq më i pakët është avullimi i djersitjes.

Cilat janë simptomat tek personat që shfaqin probleme nga zemra në temperatura të larta?

Ndër më të shpeshtat nga simptomat është ndjesia e këputjes. Kjo ndodh sepse trupi humbet shumë ujë dhe kripra me anë të djersitjes. Por mund të kemi edhe dhembje koke, marrje mendsh. Në raste më të rënda është dhimbja e gjoksit. Ankesë tjetër mund të jetë marrja e frymës, dhimbje mbi stomak.

Çfarë duhet të bëjmë në këto raste?

Personi duhet të vendoset në një vend të freskët, të lehtësohet nga rrobat e tepërta, të konsumojmë sa më shumë ujë, të freskohet me ujë të ftohtë. Por nëse këto shqetësime zgjasin më shumë se 1 orë atëherë duhet të marrë shërbim të specializuar.

Si duhet të veprojmë, nëse ndiejmë një dhembje të papritur dhe të fortë të kraharorit?

Duhet shkuar menjëherë në urgjencë kardiologjike. Ekzaminimi i parë që kryhet është elektrokardiogram, EKG. Është një ekzaminim mbi 100- vjeçar, por mjaft i rëndësishëm ende, për të vërtetuar apo përjashtuar një problem kardiak. Gjithsesi, duhet theksuar se një EKG normale nuk përjashton me siguri një problem koronar, prandaj sot kryhen ekzaminime të tjera laboratorike siç janë enzimat kardiake (troponine e kreatine kinaza-MB) të cilat janë mjaft specifike, si dhe ajo që vulos diagnozën: koronarografia.

Degjojmë shpesh gjatë verës për “Goditjen nga i nxehti”, çfarë është?

Është një gjendje shumë serioze, ku temperatura është më e madhe se 39 gradë Celsius, lëkura është e thatë e kuqe dhe e nxehtë, dhembje koke pulsuese, puls i shpejtë, ndjesinë e të vjellit, marrje mendsh deri në humbje të koshiencës, lëvizje të pakontrolluara. Pacienti duhet të dërgohet me urgjencë në spital, pasi kjo gjendje mund të ketë edhe pasoja fatale.

Kategoritë më të riskuara nga i nxehti

– Të moshuarit

– Fëmijët

– Personat që vuajnë nga Diabeti

– Obezët

– Gratë Shtatzëna

– Individët të cilët punojnë me orë të gjata në ambiente të hapura.

– Përdoruesit e alkoolit

– Ata që nuk konsumojnë lëngje mjaftueshëm

– Të sëmurët kardiakë, ata që kanë vendour stendë, etj.

Masat Parandaluse

1. Të shmangen daljet nga shtëpia në orët më të nxehta të ditës 11:00- 17:00.

2. Konsumoni sa më shumë ujë.

3. Vishni tesha të lehta pambuku me ngjyrë të çelët.

4. Mbani kapele me ngjyrë të çelët dhe syze dielli.

5. Të shmangni përdorimin e alkoolit, kafeinës si dhe sheqernat.

6. Sasia e tepërt e çajit dhe e kafeinës çon në efekte diuretike.

7. Njerëzit që janë të ekspozuar në temperatura të larta për kohë të gjatë për shkak të profesionit duhet të konsumojnë 2 gota ujë në orë.

8. Qendroni në ambjente të freskta.

9. Konsumoni ushqime të lehta.

10. Lyhuni me krem SPF.

Share Button