Humbi babain në shpërthimin e Velipojës, apeli i vajzës: Më ndihmoni të shpëtoj vëllain!

Paraditja e të mërkurës së shkuar do të ishte një ditë fatale për familjen Zenunaj, kur nga një shpërthim në restorantin e kësaj familjeje në Velipojë, do të humbte jetën babai 55 vjeçar.

Por Brikena Zenunaj pas humbjes së babait, Besnikut, ka një shqetësim tjetër. Tashmë rrezikon jetën dhe vëllai Hektori 33 vjeç, që siç i kanë thënë mjekët është djegur në 85 përqind të trupit.

Vëllain e kanë nisur në Turqi për një trajtim më të specializuar mjekësor, por Brikena shprehet se ai rrezikon jetën.

“Vëllai im rrezikon jetën, e kemi nisur në Turqi për një trajtim të specializuar për djegie të trupit në masën 85 përqind. Financat nuk janë të mjaftueshme për të përballuar mjekimin. Gjendja jonë financiare nuk është e mirë. Janë pronat që nuk shiten. Nuk kemi mjaftueshmërisht para dhe koha nuk premton. Kam nevojë të shpëtoj jetën e vëllait. Në trup ka thithur gaz e metale. Nuk e di si do të reagojë trupi. I kanë thënë që duhet të kalojë të paktën dy javë që të dalë jashtë rrezikut. Nga ana tjetër nuk na mjaftojnë paratë, çdo natë që qëndron në spital kostoja është rreth 1 mijë Euro”- ka thënë ajo në një intervistë televizive.

Share Button