Hollande kërkon samit për vajzat e rrëmbyera në Nigeri

Duket se çështja e mbi 200 vajzave të rrëmbyera nga grupi islamik “Boko Haram” në Nigeri po merr gjithnjë e më shumë përmasa si dhe mbështetje globale. Guvernatori i shtetit Nigerian të Bornos, tha se ka informacion se ku gjenden 200 vajzat e rrëmbyera nga “Boko Haram”. Guvernatori Kashim Shettima tha se i ka kaluar ushtrisë të dhëna dhe shenja të vajzave, për të verifikuar informacionet. Ai shtoi se nuk beson që vajzat të kenë kaluar kufijtë për në Çad apo Kamerun. Më herët presidenti i Francës ka ofruar mbajtjen e një samiti të posacëm vetëm për “Boko Haram”. “Sugjeroj, bashkë me presidentin Nigerian, që të mbajmë një takim me të gjitha vendet fqinje të Nigerisë dhe nëse ata pranojnë, atëherë samiti mund të mbahet të dielën e ardhshme, 18 maj” tha kreu i Elizesë, Fransua Hollande. Tashmë vendet fqinje me Nigerinë, si Kameruni, Nigeri dhe Çadi janë të ftuar në samitin e sigurisë ndërsa në të do të marrin pjesë edhe krerët e shteteve nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian. Një ditë më parë kryeministri britanik David Cameron shprehu mbështetjen e tij për këtë ngjarje, duke iu bashkuar edhe nismës së zonjës së parë të SHBA-ve, Michele Obama, nën siglën “Na ktheni vajzat tona”. Javën e shkuar grupi islamik “Boko Haram” pranoi se ka rrëmbyer mbi 200 vajza nga shkollat, duke e arsyetuar me faktin se vajzat nuk duhet të shkojnë në shkolla të arsimohen por duhet të martohen menjëherë, në një kohë që ka kërcënuar se të gjitha vajzat do të shiten si skllave. Pjesa më e madhe e vajzave të rrëmbyera janë të krishtera por mes tyre gjenden edhe disa vajza muslimane. Boko Haram ka nisur një fushatë horror dhe masakrë në vend, duke dalë hapur qysh prej vitit 2009 kundër qeverisë nigeriane.

Share Button