Hollande kërkon reformimin e BE

Presidenti francez, Francois Hollande ka deklaruar se BE duhet të reformojë dhe reduktojë pushtetin e tij, pas rritjes së mbështetjes për euroskeptikët dhe partitë e ekstremit të djathtë. Zoti Hollande, partia e të cilit u mund nga e djathta ekstreme në zgjedhjet e javës së kaluar për Parlamentin Evropian, tha se BE është bërë shumë kompleks dhe i largët. Si përgjigje, ai do t’u propozojë liderëve të BE-së në Bruksel se duhet të fokusohen në nxitjen e ekonomisë. Tre blloqet e mëdha pro-evropiane janë ende drejt formimit të shumicës. Por ata kanë humbur vende në Parlamentin Evropian nga partitë që kërkojnë të kufizojnë pushtetin e BE-së, apo që propozojnë shkrirjen e unionit, mes të cilave britanikja Partia e Pavarur, që doli e para në votimin e brendshëm me 27 për qind. Në Francë, e djathta ekstreme Fronti Kombëtar arriti një fitore bindëse me rezultatet paraprake që flisnin për 25 për qind të votave, duke nxjerrë socialistët e zotit Hollande në vendin e tretë.
Në një fjalim televiziv, zoti Hollande, mbështetës i devotshëm i BE-së, se Unioni është kthyer në një institucion “të largët dhe të pakuptueshëm” dhe kjo sipas tij duhet të ndryshojë. “Europa duhet të jetë e thjeshtë, e qartë, efikase aty ku duhet dhe të tërhiqet nga diçka nëse nuk është e nevojshme”, deklaroi Hollande. Ai tha gjithashtu se Unioni e ka kaluar krizën në eurozonë, “por me çfarë çmimi? Me disa masa që kanë çuar në dekurajimin e qytetarëve”. “Kur liderët e BE-së të takohen të martën, unë do të riafirmoj qëndrimin se prioritet është rritja, vendet e punës dhe investimet”, shtoi presidenti francez.

Share Button