Hidet, fruti i vjeshtës që bën mrekulli për shëndetin

Hidet! Ky frut interesant me origjinë nga Kina e largët ka mbi 4.000 vjet që kultivohet në të gjithë botën me më shumë se 400 varietete.

Në fjalorin e gjuhës shqipe ky frut quhet hide, ndërsa në gjuhën e përditshme popullore i referohemi me ide, në jug të vendit xinxife kurse shkodranët dhe kryesisht pjesa e veriut e quan kimça.

Duket se çdo qytet dhe zonë ka dashur t’i japë ngjyrat e autenticitetit këtij fruti, duke i vënë një emër unik. Klima mesdhetare e Shqipërisë është e favorshme për kultivimin e këtij fruti, i cili ka potencialin për të qenë një biznes fitimprurës në sektorin bujqësor.

Por shumë pak e dinë, por hidet përmbajnë magnez, potas, kalcium, manganez, fosfor dhe hekur. Ato përmbajnë 20 herë më shumë vitaminë C se çdo agrume tjetër, që forcon sistemin imunitar dhe lufton infeksionet duke u përdorur si ilaç mjekësor për mijëra vjet në shumë kultura në botë në formën e çajit për shembull, për të qetësuar fytin.

Ekstraktet e ides janë përdorur edhe në produktet e kujdesit të lëkurës për të zvogëluar rrudhat, hidratimin e lëkurës së thatë, dhe për të trajtuar dhimbjet e djegies nga dielli.

Shkencëtarët kanë identifikuar tetë flavanole tek fruti i hides, të cilat kanë aftësi qetësuese. Farat janë përdorur për të trajtuar pagjumësinë në mjekësinë tradicionale kineze.

Ide, hide apo kimça, e rëndësishme është që po flasim për të njëjtin frut, që duhet të konsumohet si një frut i stinës.

Share Button