Helmohen pjesëmarrësit në mitingun e opozitës

Dhjetëra pjesëmarrës në mitingun e hapjes së fushatës elektorale të Partisë Demokratike të Shqipërisë të zhvilluar dje në Tiranë, kanë përfunduar ne spital me shenja të helmimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë, e cila në një njoftim konfirmon se në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme janë paraqitur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pacientë me shenja të helmimit (intoksikacion) si: skuqje të syve, djegie të syve, irritim të shprehur të lëkurës në zonat e ekspozuara të fytyrës dhe qafës, si dhe në raste të veçanta edhe vështirësi të lehtë në frymëmarrje.

“Sipas referimeve të marra nga mjekët në shërbim, të gjithë këta pacientë kanë qenë pjesëmarrës në aktivitetin e hapjes së fushatës elektorale të Partisë Demokratike, një natë më parë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, në Tiranë. Mes pacientëve, rreth orës 5:00 të mëngjesit është paraqitur edhe lideri i opozitës Lulzim Basha me simptoma të ngjashme. Ministria e Shëndetësisë po punon për evidentimin e rasteve edhe në spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore në vend”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë pjesa më e madhe e rasteve, 76 pacientë, nga të cilët 9 janë shtruar në shërbimin e okulistikës dhe janë nën vëzhgimin e specialistëve.

Gjithashtu theksohet se Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Rendit dhe Drejtorinë e Policisë po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Kujtojmë se dje Partia Demokratike e Shqipërisë, hapi zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Share Button