Sa ditë pushimi të paguara kanë shqiptarët në krahasim me vende tjera?

Sot është një Maji, një ditë simbolike për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve në mbarë botën.
Në Shqipëri prej vitesh e ka humbur simbolikën dhe është kthyer në një pushimi, kryesisht për punonjësit e administratës shtetërore, ndërsa në sektorin privat jo të gjithë e bëjnë pushim.

Nga festat e vitit të ri deri tek Dita e Flamurit dhe lejet vjetore shqiptarët kanë 32 ditë pushimi të paguara. Sipas Kodit të Punës në Shqipëri janë 20 ditë pune leje vjetore, apo 28 ditë kalendarike. Ndërsa festa zyrtare numërohen 12.

Ditët kur festat zyrtare përkojnë të dielën, e hëna është ditë pushimi. Në përgjithësi kompanitë e mëdha private i respektojnë ditët e pushimit, sikurse dhe administrata publike. Megjithatë në Shqipëri bizneset private nuk e respektojnë tërësisht kodin e punës dhe jo të gjithë punonjësit e marrin të plotë lejen vjetore prej 20 ditësh (kryesisht jepen dy javë), ndërsa shumë prej tyre detyrohen të dalin në punë edhe gjatë fundjavës. Në ditët e festave dhe të pushimit punojnë dhe të vetëpunësuarit, që përbëjnë rreth një të tretën e totalit të të punësuarve në sektorin privat.

Vera sapo është punësuar ekonomiste në një biznes rrjet supermarketesh në Tiranë. Ajo thotë se ka vetëm një ditë në javë pushim dhe se nuk i lejohet që pushimin ta bëjë gjatë fundjavës dhe ditët e festave shkon gjithnjë në punë. Ndërsa për sa i përket lejes vjetore, Vera tregoi se mund të marrë vetëm 10 ditë leje gjatë vitit, pavarësisht se Kodi i Punës ka parashikuar 20 ditë leje vjetore dhe 12 ditë festash.
Me 32 ditë pushimi në vit, shqiptarët renditen në mesataren e vendeve të Europës, raporton “Monitori”.

Në Europë, sipas një harte të publikuar nga Wikipedia, në krye të klasifikimit si vend me më shumë ditë pushimi të paguara është Austria me 41 ditë, e ndjekur nga Finlanda, Franca dhe Spanja me 36 ditë pushimi. Në vend të tretë është Italia së bashku me Gjermaninë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar me 32 ditë pushimi, po aq sa Shqipëria. Ndërsa Holanda ka vetëm 20 ditë pushimi të paguara.

Nga vendet e rajonit, Serbia ka 31 ditë pushimi në total, Maqedonia ka 35 ditë. Mali i Zi është shteti më punëtor në rajon me 25 ditë. Edhe në Greqi pushohet 25 ditë.
Në botë vendi me më shumë ditë pushimi është Sri Lanka, banorët e të cilit kanë 46 ditë pushimi në vit, ku përfshihet leja vjetore dhe pushimet.

hartash

Share Button