“Harmonia e Kulturave” bashkon në Tiranë studentë nga e gjithë bota

Panairi “Harmonia e Kulturave”, ka mbledhur së bashku në Tiranë studentë nga vende të ndryshme të botës, që studiojnë në Shqipëri, të cilët kanë prezantuar kulturat e vendeve të tyre në stenda promovuese, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë ceremonisë së hapjes së panairit që do të qëndrojë i hapur gjatë gjithë ditës së sotme dhe që organizohet nga Fondacioni Alsar, drejtori administrativ i këtij fondacioni, Saimir Rusheku, u shpreh se ky aktivitet tashmë është shndërruar në traditë që synon të përkujtojë ditën e diversitetit kulturor.

I pranishëm në hapjen e panairit ishte edhe zëvendësministri i Jashtëm i Shqipërisë, Halil Hyseni, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se stendat e vendeve të ndryshme në këtë panair janë një mundësi që studentët dhe të rinjtë të prezantojnë kulturën e tyre nga vendet që përfaqësojnë dhe të gjejnë pikat e lidhjes mes tyre.

“Njerëzimi ka një gjë të përbashkët, krijimin e paqes dhe harmonisë midis popujve. Dhe sa herë që institucionet dhe organizatat e ndryshme përpiqen dhe realizojnë krijimin e lidhjeve ata bëjnë krijimin e urave dhe bëjnë vërtetë një gjë shumë të mirë, që krijojnë mundësinë e lidhjes dhe komunikimit”, u shpreh Hyseni.

Ndërkohë, drejtori administrativ i fondacionit Alsar, Rusheku, duke folur rreth panairit theksoi se “Ky panair është një rrugëtim kulturor në historinë e trashëgimisë botërore, është një moment për t’u ndalur dhe kujtuar se diversiteti kulturor nënkupton respektimin e dinjitetit të njeriut, lirinë, demokracinë, barazinë dhe ruajtjen e të drejtave të patjetërsueshme të njeriut”.

“Aktiviteti synon të nxisë, kultivojë dhe zhvillojë kulturën kombëtare tek të rinjtë, por edhe respektimin e diversitetit kulturor dhe multikulturalizmin. Kulturat ndihmojnë popujt të jetojnë në harmoni. Në këtë kontekst modeli i harmonisë dhe tolerancës fetare në Shqipëri përbën një aspekt shumë pozitiv të kulturës së shoqërisë shqiptare, që është një udhërrëfyes që na mëson të jetojmë në harmoni me diferencat”, tha Rusheku.

Shtetet që prezantohen në këtë panair janë Shqipëria, Turqia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Britania e Madhe, Greqia, Egjipti, Japonia, si dhe një stendë promovuese edhe për Preshevën.

Studentët prezantojnë vendet historike të shteteve që përfaqësojnë, kulturën, artin, veshjet tradicionale, monumentet historike, etj. Gjatë aktivitetit u shfaq edhe dokumentari ”Harmonia e Kulturave”.

Share Button