Hapja e sheshit “Skënderbej”, koncert madhështor në Tiranë

Sheshi “Skënderbej” do të hapet të shtunën, më 10 qershor me një koncert madhështor që nis në orën 19.30.

Ka qënë vetë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj që ka zbuluar disa nga surprizat e ceremonisë gjatë fjalës së tij për analizën e punës 2-vjeçare në njësinë nr. 4.

“Ditën e shtunë në orën 19.30, do të kemi një koncert madhështor dhe ashtu si sheshi që është i mbushur me gurë, nga të gjithë trevat e Shqipërisë, po ashtu edhe të gjitha trevat e Shqipërisë, do të jenë në skenë për të hapur me të gjithë qytetin, me të gjithë familjet tona, në një ceremoni të jashtëzakonshme artistike, folklorike, sheshin e të gjithë shqiptarëve”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku bëri të ditur se dje në mbrëmje janë bërë dhe provat e ndriçimit, duke i dhënë sheshit pamjen që meriton.

“Ne mbrëmë në darkë bëmë një inspektim të fundit, sapo kemi vënë shatërvanët e rinj, sapo është vënë ndriçimi dhe ka dalë një mrekulli”, tha ai.

Kreu i Bashkisë deklaroi se transformimi i këtij sheshi është tregues i vullnetit të Bashkisë së Tiranës për të punuar.

Share Button