Hapet Panairi i Librit në Pejë

Në Pejë, qyteti i cili shtrihet në perëndim të Kosovës, hapet Panairi i katërt i Librit, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Rinisë, Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport në Pejë dhe Qendra Kulturore Turke “Yunus Emre” në Pejë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes së këtij panairi ku ekspozohen libra nga 30 shtëpi botuese si nga Kosova, ashtu edhe nga Shqipëria, Maqedonia e Turqia, morën pjesë shkrimtarë, intelektualë, përfaqësuesit e institucioneve si dhe libërdashësit kosovarë.

Kryesues i Kuvendit të Komunës së Pejës, Islam Husaj, i cili bëri hapjen e Panairit të Librit para dashamirësve të librit deklaroi se ky aktivitet u mundëson qytetarëve të Pejës t’i njohin vlerat e librave dhe shtëpive botuese të cilat marrin pjesë në këtë panair.

“Është një ndër aktivitetet më të rëndësishme në komunën tonë. Besojmë se ky aktivitet do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke i ngritur kapacitetet e veta gjithnjë e më shumë”, u shpreh Husaj.

Kurse drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Prishtinë, Mehmet Ülker, shprehu mirënjohjet për të qenë pjesë e këtij panairi, i cili sipas tij çdo vit e më shumë po e zgjeron aktivitetin dhe ndikimin e tij.

“Ne ndihemi shumë të lumtur në një aspekt, e para është që në bibliotekat tona ne mbajmë librat e përkthyera nga gjuha shqipe në gjuhën turke dhe i ndajmë ato me libërdashësit në Turqi. Në anën tjetër ne sot i kemi sjellë këtu edhe librat e përkthyera nga gjuha turke në gjuhën shqipe për t’i bashkuar ato me lexuesit dhe libërdashësit”, tha Ülker.

Ai po ashtu shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar për aktivitete të tilla edhe në vitet e ardhshme.

Gjatë panairit poetët vendas lexuan poezitë e tyre në gjuhën shqipe dhe në gjuhën turke.

Ndryshe, panairi do të jetë i hapur deri më 16 qershor.

Share Button