Hapet Festivali i Filmit Mjedisor në Shqipëri

Është hapur me një ceremoni dje në Tiranë edicioni i pestë i Festivalit të Filmit Mjedisor në Shqipëri (EFFA 2017), raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes së festivalit që do të mbahet në datat 24-28 tetor ishte i pranishëm ministri i Turizmit dhe i Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, aktivistë të mbrojtjes së mjedisit, artdashës, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë aktivitet, ministri Klosi theksoi se mjedisi është një pasuri e përbashkët dhe nuk mund të trajtohet si pasuria e askujt.

“Jemi me shumë kënaqësi këtu për të qenë pjesë e këtij diskutimi intelektual dhe për të ndjekur gjatë gjithë kësaj jave një sërë aktivitetesh, të cilat kanë një qellim të përbashkët, atë të bashkërendimit të aktiviteteve tona për një mesazh të qartë që për ne tashmë, është mesazh që na drejton në çdo ditë të funksionimit të institucionit tonë. Mjedisi  është një pasuri e jona e përbashkët dhe nuk mund të trajtohet si pasuria e askujt. Ne duam t’ju kemi në krah në një përpjekje të madhe që do të zhvillojmë këto 300 ditë për të hapur sezonin turistik me një Shqipëri më të pastër. Është detyra jonë të bëjmë një aksion mbarëkombëtar për Shqipërinë e pastër dhe të përpiqemi të pastrojmë grumbujt e mëdha të plehrave apo të pastrojmë grykëderdhjet e lumenjve, detet, plazhet e ambientet që na shikon syri”, tha ai

Duke folur për aksionin  e pastrimit të mjedisit, ministrit Klosi theksoi se ka ardhur momenti që i gjithë kontributi intelektual, i botës akademike, i shoqërisë civile, të bashkohen me përpjekjet institucionale që “ky aksion të mos jetë vetëm një aksion disa ditor, por të kthehet në një kulturë.”

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që të ketë një edukim më masiv për të mbajtur një mjedis të pastër.

Filmat pjesëmarrës janë nga Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Italia, Brazili, Argjentina, Franca, SHBA, Australi, Bullgaria, Gjermani, Hungaria, Holanda, Spanja, Rumania, Ukraina etj, dhe do të shfaqen në qytete të ndryshme të vendit.

Filmat dhe dokumentarët kanë fokus prezantimin e mjedisit, mbrojtjen e mjedisit, dhe tematika të ndryshme si rëndësia e oqeaneve, fauna, burimet natyrore, etj.

Share Button