Habiten të huajt: Më shumë ndihej fryma e Ramazanit sesa e zgjedhjeve

Shumë aspekte të kësaj fushate janë prekur nga mediet e huaja këto ditë, por vëmendjen e shtypit ndërkombëtar e ka tërhequr edhe një element i veçantë: mungesa e posterave nëpër rrugë.Si rrallëherë në kohë të tilla, tani nuk gjen më foto kandidatësh nëpër qytet.
Bulevardi kryesor i Tiranës ishte i mbushur vetëm me “banner”-a për Muajin e Shenjtë të Ramazanit dhe Fiter Bajramit.
Gati-gati e ke të vështirë të besosh se në kryeqytet kishte zgjedhje këtë të diel: nuk gjendej gjurmë fushate.

Edhe vetë tubimet elektorale nuk kanë qenë aq të zhurmshme sa më parë. Nuk pati tone agresive e as ofendime nga ato që lëshoheshin rëndom pa mëshirë mbi kundërshtarët politikë.
Në kafenetë e superpopulluara, po kështu nuk dëgjon më diskutime të përflakura mes mbështetësve të njërit apo tjetrit krah, të llojit që duken të destinuara të përfundojnë në akte dhune.
Në sytë e të huajve, e jo vetëm, kjo ka qenë një prej fushatave më të qeta të përjetuara ndonjëherë në këtë vend.
Shumica e partive politike janë mbështetur më shumë këtë herë te mediet sesa te mitingjet, e shihet me pozitivitet edhe fakti që politikanëve të punësuar në administratën publike nuk iu lejua pjesëmarrja në fushatë.
Kjo qetësi është pjesërisht një prej pasojave anësore të marrëveshjes së 18 majit, mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, të sponsorizuar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara./dita

Share Button