Gruevski komenton protestat në Shkup

Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski deklaroi sot se po ndjek me vëmendje serioze zhvillimet në vend, të shoqëruara me protestat e fundit të shqiptarëve, të cilët kundërshtojnë dënimin me burgim të përjetshëm të 5 shqiptarëve lidhur me rastin “Monstra”.
Sipas kryeministrit, ekzistojnë individëdhe organizata të caktuara që po tentojnë të hedhin benzinë në zjarr, për të realizuar qëllimet e tyre.

“Njerëzit e tillë që e bëjnë këtë sigurisht se nuk punojnë për interesat e maqedonasve, por as edhe të shqiptarëve, por edhe as edhe për interesat e të gjithë të tjerëve që jetojnë në Maqedoni. Ata nuk punojnë as në interes të krishterëve apo myslimanëve. Ata po vazhdojnë axhendën e tyre. Sido që të jetë, ne si shtet, si institucione kemi kapacitet për t`u ballafaquar me këta apo edhe me situata të tjera”,- theksoi Gruevski. Kryeministri i Maqedonisë nënvizoi se protestat e qeta, ku qytetarët shprehin kërkesat e tyre, kontribuojnë në demokraci, por sipas tij, protestat ku përdoret dhuna nuk mund të përkrahen. Sipas Gruevskit, Ministria e Punëve të Brendshme ka kryer detyrën në mënyrë shumë profesionale dhe është ballafaquar me protestat e ditëve të fundit dhe nuk do të lejojë përshkallëzimin e tyre.
I pyetur se a ka biseduar në këtë temë me partnerin e koalicionit Ali Ahmetin e BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim), Gruevski shtoi se kontaktet me partnerin e koalicionit janë të përditshme.

Share Button