Grevë e përgjithshme në Greqi

Për të dytën herë brenda 20 ditëve Greqia paralizohet nga një grevë e re e përgjitshme 24-orëshe, e dyta kundër qeverisë së majtë të kryeministrit Tsipras që kur ai ka ardhur në pushtet, në janar të këtij viti.

Greva është organizuar nga Konfederata e Sektorit Publik ADEDY dhe atij privat GSEE, që kundërshtojnë projektligjin e ri të sigurimeve sociale që pritet të miratohet gjatë këtij muaji.

Në mitingjet e organizuara në vende të ndryshme të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të mëdha të vendit, mijëra pjesëmarrës ngrejnë zërin dhe protestojnë për reduktimin e mëtejshëm të pensioneve që pritet të sjellë ky ligj i imponuar edhe nga kreditorët e Greqisë për të kursyer nga subvencionet shtetërore më shumë se 1.8 miliardë euro.

Prej orës gjashtë të mëngjesit janë të mbyllura të gjitha shërbimet shtetërore: ministritë, zyrat e tatim-taksave, bashkitë dhe prefekturat, muzeumet, shkollat, farmacitë dhe bankat.

Spitalet funksionojnë me stafin e emergjencës, transporti publik ka ndërprerje shumëorëshe, anijet janë të ankoruara në porte, ndërsa edhe shumë fluturime të brendshme janë anuluar.

Gazetarët kanë kryer grevën e tyre një ditë më parë, në mënyrë që të mbulojnë zhvillimet e dites se sotme, ndërsa në grevë marrin pjesë edhe juristët që kundërshtojnë reformat e reja për pensionet.

 

Share Button