Greqia dhe Bullgaria nënshkruajnë marrëveshjen për linjë hekurudhore

Greqia dhe Bullgaria nënshkruan të mërkurën një marrëveshje për të ndërtuar një lidhje hekurudhore në vlerë prej disa miliarda eurosh, e cila do të lidh portet e rëndësishme të të dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Linja do të lidhë portet e Kavallës dhe Aleksandropulit në Greqinë veriore në Detin Egje me portet bullgare në Burgas, Varna dhe portin në Ruse mbi Lumin Danub.

Sipas mediave bullgare, pjesa bullgare do të kushtojë afërsisht një miliard euro, ndërsa pjesa greke rreth katër miliardë euro. Ndërkaq, nuk u dha asnjë afat kohor për përfundimin e projektit.

Kryeministri grek Alexis Tsipras dhe homologu i tij bullgar Bojko Borisov folën në një konferencë shtypi në Kavallë pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit.

“Me kryeministrin bullgar ne ndajmë mendimin e përbashkët për të përfituar nga potencialet e të dy vendeve”, tha kryeministri grek.

“Ne po vazhdojmë të bashkëpunojmë me mundësi të reja në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe zhvillimin ekonomik”, tha më tej ai, duke theksuar se projekti hekurudhor ka rëndësi gjeopolitike dhe historike.

Nga ana tjetër, kryeministri bullgar Borisov tha se marrëveshja mes dy vendeve është vazhdim i bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorin e energjisë dhe transportit.

“Në samitin katërpalësh që do të mbahet në Varna më 3 tetor ne mendojmë që në projekt t’i përfshijmë edhe homologët tanë nga Rumania dhe Serbia, sepse projekti ka të bëjë edhe me transportin mbi Danub”, u shpreh Borisov, duke theksuar se projekti do të shtojë rëndësinë e transportit mbi këtë lumë.

Share Button