Gjykata tajlandeze shkarkon kryeministren Shinawatra

Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot që kryeministrja e Tajlandës, Yingluck Shinawatra duhet të japë dorëheqjen nga posti i saj dhe të përballet me akuzat për abuzim me pushtetin. Sipas gjykatës, kryeministrja veproi në kundërshtim me ligjin kur vendosi të transferojë shefin e sigurisë kombëtare. Gjykata Kushtetuese vendosi gjithashtu se edhe disa ministra të kabinetit të saj qeverisës të dorëhiqen dhe të përballen gjithashtu me akuzën për abuzim me pushtetin. Vendimi i gjykatës vjen disa muaj pas bllokimit të jetës parlamentare e politike në Tailandë, ku protestuesit anti-qeveritarë janë përpjekur që prej nëntorit të 2013-ës, të rrëzojnë nga pushteti kryeministren Shinawatra. Nuk është ende e qartë se si do të qeveriset vendi nëse kryeministrja dhe disa ministra do të japin dorëheqjen, pasi vendi mund të përballet me një vacuum politik. Ndërsa përkrahësit e saj besojnë se gjykatat janë të njëanshme. Kryeministrja e Tailandës por edhe familja e saj, gëzojnë urrejtje të një pjese të madhe të popullsisë, kryesisht të klasës së mesme, pasi e akuzojnë atë për korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit.

Share Button