Gjykata lë në burg gjeneralin Syrja Gjoka

Gjykata e Beratit ka lënë në burg zyrtarin e lartë të Forcave të Armatosura Syrja Gjoka pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në kohën kur ai ka qenë Komandant i Bazës Ushtarake të Aviacionit në Kuçovë.

Arrestimi i Syrja Gjokës, i cili ushtronte aktualisht detyrën e Komandantit të Logjistikës në FA, ka ardhur pas kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, e cila prej disa muajsh e kishte vënë nën hetim.

Sipas prokurorisë, Gjoka akuzohet se në periudhën kohore 2011-2012, kohë kur ka qenë me detyrë Komandant i Bazës Ushtarake të Aviacionit në Kuçovë, i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 6 milionë lekësh të reja, nga prishja e disa objekteve, pronë e Ushtrisë.

Syrja Gjoka ka një karrierë 37 vjeçare në Forcat e Armatosura, e cila fillon prej vitit 1977 e deri në drejtimin e një prej tre komandave që disponojnë Forcat e Armatosura shqiptare si Komanda e Logjistikës, e cila konsiderohet si një komandë kyçe për ushtrinë.

Share Button