Gjykata Administrative hedh poshtë bllokimin e buxhetit të Bashkisë

Gjykata Administrative ka hedhur poshtë si të paligjshëm bllokimin e buxhetit nga prefekti i Tiranës. Sipas vendimit të kësaj gjykate: Ndërhyrja e prefektit në buxhet është tejkalim kompetence dhe e pabazuar në ligj . Gjykata Administrative me vendimin e sotëm konfirmoi si të ligjshëm buxhetin e Bashkisë së Tiranës, të miratuar më 26 shkurt 2014. Në kërkesëpadinë e Bashkisë së Tiranës, që iu dorëzua Gjykatës Administrative, e cila mbante firmën e kryebashkiakut Lulzim Basha, kërkohej “Shfuqizim i pjesshëm i shkresës nr.1028/1 datë 17.3.2014 të prefektit të Qarkut Tiranë, lidhur me vendimin e Këshillit Bashkiak (VKB) nr.1 datë 26.2. 2014″. Nëpërmjet kësaj shkrese prefekti i Tiranës konfirmonte ligjshmërinë e vendimit të këshillit për miratimin e projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës, por nuk konfirmonte një pjesë të tij që ka të bëjë me shpronësimet për interes publik, për ndërtimin e rrugëve, shkollave etj, me vlerë 580 milionë lekë për vitin 2014. Pikërisht ky kushtëzim ka bërë që Bashkia e Tiranës t’i drejtohej Gjykatës Administrative, pasi e konsideronte tejkalim kompetencash të institucionit të Prefektit.

Share Button