Gjuha në televizion, takim me studiuesin Emil Lafe

Studentët e trajnimit “Njohuri praktike për gazetarinë”, zhvilluan një leksion special me profesorin dhe gjuhëtarin, Emil Lafe.

Në ditën e fundit të trajnimit, studentët, përmes bisedës me profesorin, morën disa këshilla  në lidhje me gjuhën që duhet përdorur në Televizion, por edhe në media të tjera. Ai e vuri theksin tek ruajtja e shqipes standarte, por mbi të gjitha tek mospordërimi i fjalëve të huaja të panevojshme.

Duke nxjerrë në pah disa nga problemet e gjuhës në media sot, prof Emil Lafe i udhëzoi studentët për trajtat normative dhe iu sugjeroi konsultimin me Fjalorin Drejtëshkrimor të Shqipes, por edhe të disa teksteve të tjera bazike dhe orientuese për punën e përditshme të gazetarit.

Kujtojmë se trajnimi “Njohuri praktike mbi gazetarinë” organizohet për të gjashtin vit radhazi, nga Media Kontakti në bashkëpunim me Institutin e Karrierës “Proteus”.
Sivjet trajnimi nisi më datë 27 prill dhe zgjati rreth 3 javë, me rreth 15 orë leksionesh e praktikash profesionale për tema të tilla, si: Filmimi në mënyrë profesionale i një materiali? Si hartohen tekstet për zhanret e ndryshme televizive? Si kryhet procesi i montazhit? etj.

Studentët pjesëmarrës shpalosën formimin dhe njohuritë e tyre në realizimin e proceseve të punës në televizion, duke u ushtruar praktikisht në studiot e televizionit dhe me filmime me kamera.

Nën drejtimin e profesorëve të njohur Ilirjan Agolli e Jolana Lila, ata morën njohuri rreth ndërtimit të lajmit, strukturës së tij, realizimin e reportazheve nga gjetja e burimit deri tek montazhi.

Ky trajnim u mbyll me prof. dr. Emil Lafe dhe në ditët vijuese, pritet që studentët  të çertifikohen në një ceremoni festive të veçantë.

18493902_1401887619874095_1137813777_o 18516759_1401887726540751_1864295972_o 18552889_1401887679874089_13284858_o 18575200_1401888023207388_1973398691_o

Share Button