Gjermania vijon kthimin e azilkërkuesve shqiptarë, 365 këtë javë

Një tjetër valë e re azilkërkuesish shqiptarë pritet të kthehen në Shqipëri. Në harkun kohor të dy ditëve, sot dhe nesër (me 27-28 tetor), Gjermania do të riatdhesojë 365 shqiptarë.

Sipas njoftimit të Ambasadës gjermane në vendin tonë, sot do të kthehen rreth 162 persona dhe një ditë më pas 203 të tjerë.

Vetëm pak ditë më parë u bë e ditur se, qeveria gjermane po nxitonte të dëbonte azilkërkuesit e refuzuar, e për këtë qëllim mund të përdorte edhe avionët e mëdhenj të transportit të Bundesëehrit.

Deri më sot, kthimi i azilkërkuesve është realizuar me avionë linje apo “charter”, ndërsa disa lande e kanë si rregull të mos kryejnë riatdhesime gjatë stinës së ftohtë. Megjithatë duket se, nga ky vit, një politikë e tillë nuk do të ndiqet më.

Pjesa më e madhe e parlamenteve rajonale janë shprehur pro organizimit të kthimeve edhe në muajt e dimrit, e në këtë pikë duket se nuk ka më asnjë mospërputhje mes tyre dhe qeverisë federale.

 

Share Button