Gjermania, ndërmjetëse për krizën në Ukrainë

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë mbërriti në Kiev në kuadër të përpjekjeve të reja për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën në Ukrainë. Frank-Walter Steinmeier do mund të shkojë në lindje të Ukrainës, ku aktivistët pro-rusë mbajtën të dielën referendumin për vetëqeverisje. Udhëheqësi separatist pro-rus, Denis Pushilin, i kërkoi Rusisë “të absorbojë” rajonin lindor të Donetsk-ut, pas referendumit jozyrtar që u zhvillua të dielën. Më herët, lideri i vetëshpallur i “Republikës Popullore të Donetskut” tha se “Moska duhet të dëgjojë vullnetin e popullit”. Separatistët pro-rusë thanë se në rajonet e Donetsk-ut dhe Luhansk-ut u votua për vetëvendosje, respektivisht me 89% dhe 96%. Moska aneksoi republikën ukrainase jugore të Krimesë në muajin mars pas një referendumi të diskutueshëm dhe Kievi frikësohet për një rezultat të ngjashëm edhe në  Donetsk, Luhansk dhe pjesë të jugut Ukrainës. Rusia bëri thirrje për zbatimin e rezultatit të referendumit të së dielës. Ndërkohë, separatistët e armatosur kanë ende në kontroll shumë prej ndërtesave zyrtare në Ukrainën Lindore.
Steinmeier, i cili mori pjesë në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel të hënën, përsëriti se ai i konsideron referendumet të paligjshme, duke shtuar: Ne nuk mund, dhe nuk duhet, t’i marrim  ato seriozisht. Zëdhënësi i tij, Martin Shafer tha se vizita e së martës është për të mbështetur një tryezë të rrumbullakët nën kujdesin e OSBE-së.
OSBE-ja më pas lëshoi një deklaratë, duke thënë se Vladimir Putin ka mbështetur planin e organizatës për qetësimin e situatës në Ukrainë.
Steinmeier është njëri prej diplomatëve të angazhuar në qetësimin e situatës në Ukrainë, ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel ka zhvilluar shpesh biseda telefonike me presidentin Putin. Bashkimi Europian ka vendosur sanksione të tjera gjatë së hënës ndaj zv/shefit të parë të stafit të presidentit rus Putin, Vyacheslav Volodin, si dhe ndaj komandantit të trupave paraushtarakë rusë, ashtu sikurse dhe ndaj 2 kompanive krimeane “PJSC Chernomorneftegaz” dhe “Feodosia”.
Volodin dhe Vladimir Shamanov janë mes 13 personave të shtuar në listën e atyre që përballen me ngrirjen e aseteve nga ana e BE-së dhe ndalimit të fluturimit në zonën “Schengen”, si pjesë e përpjekjeve të BE-së për të ushtruar presion ndaj Moskës për krizën në Ukrainë, sipas gazetës zyrtare të bllokut europian.

Share Button