Gjenevë, konferencë ndërkombëtare për ndihma për Arakanin

Në Zyrën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë nisi konferenca ndërkombëtare për ndihmë në përmbushjen e nevojave themelore të muslimanëve të Arakanit të cilët kanë ikur nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit dhe të budistëve fanatikë dhe janë strehuar në Bangladesh, raporton Anadolu Agency (AA).

Sot me fjalimet hyrëse nisi konferenca humanitare e organizuar nën kryesimin e Bashkimit Evropian dhe të Kuvajtit, në bashkëpunim me Zyrën e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) dhe Zyrën e OKB-së për Koordinim të Çështjeve Humanitare të OKB-së.

Zv. Sekretari i OKB-së për Çështjet Humanitare, Mark Lowcock, tha se dhuna ndaj muslimanëve në Arakan është duke vazhduar dhe se për kthimin e refugjatëve në Bangladesh së pari duhet t’i jepet fund dhunës në Mianmar.

Ai tha se “Bashkësia ndërkombëtare asnjëherë më parë nuk i kishte kushtuar kaq shumë vëmendje problemit të Arakanit”. Lowcock shprehu dëshirën që kjo ndjeshmëri të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi vuri në dukje se ashtu si në gjithë krizat e refugjatëve edhe në krizën e Arakanit që nga dita e parë duhej të fokusohej në gjetjen e një zgjidhjeje.

Duke vënë në dukje se muslimanët e Arakanit po përjetojnë një traumë të madhe, Grandi shprehu shqetësimin se kjo traumë do të zgjasë me vite të tëra. “Nuk presim që kjo krizë të përfundojë menjëherë. Lufta kundër traumës së përjetuar shihet se është një nga problemet më të mëdha që duhet të zgjidhet”, thotë ai.

Grandi i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe shteteve donatorë që të japin donacione për përmbushjen e nevojave të refugjatëve të Arakanit.

– “Ka probleme emergjente që duhet të zgjidhen”

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, William Lacy Swing tha se në vizitën e tij në Bangladesh, gjatë javës së kaluar, ka qenë personalisht dëshmitar i tragjedisë njerëzore në kampet e refugjatëve në afërsi të qytetit Cox’s Bazar.

Swing vuri në dukje se refugjatët të cilët janë strehuar në këto kampe kanë probleme emergjente që duhet të zgjidhen si ato të shërbimeve shëndetësore, të gjetjes së ushqimit, të ujit të pastër si dhe të vendeve për t’u strehuar.

Konferenca në të cilën marrin pjesë shumë shtete donatore dhe organizata të ndryshme humanitare do të përfundojë sot.

OKB-ja ka njoftuar se për përmbushjen e nevojave themelore të muslimanëve të Arakanit të cilët kanë ikur nga sulmet e ushtrisë dhe të budistëve fanatikë në Arakan të Mianmarit ka nevojë për fond emergjent në vlerë prej 434 milionë dollarë.

Laerke njoftoi se deri më tani është përmbushur vetëm 24 për qind e këtij fondi.

Zëdhënësja e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Duniya Aslam Khan në një deklaratë për AA sot njoftoi se numri i muslimanëve të Arakanit që janë strehuar në Bangladesh që nga fillimi i dhunës më 25 gusht është rritur në 603 mijë

Share Button