“Gazetaria investigative në Shqipëri”

“Gazetaria investigative në Shqipëri” ishte tema e radhës e kursit trajnues “ Njohuri praktike për gazetarinë”, i organizuar nga radio Kontakt në bashkëpunim me institutin e Karrierës “Proteus”. Kjo ishte java e pestë ku u zhvillua kursi i trajnimit për gazetarët e rinj. Në këtë takim i ftuar special ishte gazetari Ksenofon Ilia ose siç ai njihet gjerësisht Fon Ilia. Trajnimi filloi në orën 14:00 dhe nisi me një bisedë rreth jetës profesionale të gazetarit Ilia. Fokusi kryesor i kësaj bisede ishte vështirësitë që has gazetari gjatë punës së tij dhe vullneti që duhet ta shoqërojë gjatë gjithë kohës. E rëndësishme për Fon Ilian ishte dashuria që duhet të ketë gazetari për profesionin dhe punën që bën, pasi në këtë mënyrë ai do të ketë gjithmonë rezultate. Rëndësi për pjesëmarrësit e trajnimit ishte dhe gazetaria investigative ku gazetari Fon Ilia është i specializuar dhe ka punuar prej vitesh. Ai theksoi se gazetaria investigative është një formë e hetimit të një ngjarje e cila duhet të ketë së pari interes publik, duke përfshirë krimin, korrupsionin, ose probleme të ndryshme sociale-ekonomike. Një gazetar investigues mund të kalojnë muaj apo vite duke hulumtuar dhe përgatitur një raport. Gazetari investigativ bën luftë kundër gënjeshtrës , e kërkon zbulimin e denoncimin e saj për hir të interesave të gjithë shoqërisë. Ndër të tjera çdo burim i informacionit duhet të jetë i detajuar dhe i vërtetë. Gjithashtu gazetari Fon Ilia dha këshilla edhe në lidhje me përgatitjen e intervistës, gjetjeve të kontakteve, si dhe përgatitjes së pyetjeve. Por ndër të tjera nuk duhet harruar që të ruhet etika.Një tjetër pjesë e rëndësishme e këtij takimi ishin edhe pyetjet që pjesëmarrësit i drejtuan gazetarit Fon Ilia. Nga shumë llojshmëria e këtyre pyetjeve u tregua se vështirësitë e gazetarit mund të jenë të shumta, por ai duhet të gjejë mënyra për t’i realizuar me sukses punën e tij duke treguar zotësinë vetjake. Janë të shumtë gazetarët që diplomohen në ditët e sotme, por të paktë janë ata që dalin në pah si gazetarë të mirë. Po ashtu në fund të takimit gazetari Fon Ilia dha dhe këshillat e fundit ku përfshiheshin leximi, praktikimi dhe informimi. Me tej kursi i trajnimit vazhdoi me pjesën e dëgjimit të intervistave të përgatitura trajnimin e kaluar, të cilat u regjistruan përpara kamerave. Këto regjistrime u panë dhe u komentuan nga të gjithë pjesëmarrësit. Në këtë mënyrë secili prej tyre patën mundësi të reflektojnë për gabimet dhe të përmirësohen.

Share Button