“Gangnam style”, 2 miliardë klikime në YouTube

Kënga “Gangnam style” e yllit muzikor Psy nga Koreja Jugore – ka arritur një rekord të ri në Internet. Është video e parë në histori që ka marrë mbi 2 miliardë klikime. Kjo video, që ishte publikuar në internet dhe rrjetet sociale më 15 korrik të vitit 2012, sot në mëngjes ka arritur më tepër se 2 miliardë shikime. Asnjë video tjetër nuk i afrohet “Gangnam Style”, në listën e videove më të shikuara në listën e YouTube. Idhulli i adoleshentëve, Justin Biber, me videon e tij me këngën “Baby”, që publikuar në YouTube në shkurt të vitit 2010, radhitet në vendin e dytë me pak më tepër se një miliard shikime. Kënga e PSY është kënduar e kërcyer nga të gjithë, nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon e deri tek të burgosurit në burgjet e Filipineve. Rekordi i kësaj kënge është thyer teksa brenda 24 orëve, është klikuar plot 38 milionë herë. Edhe kënga tjetër hit e koreano-jugorit, PSY, “Gentlemen” është ndër më të klikuarat, me mbi 700 milionë klikime. Kënga “Gangnam Style” bëri aq bujë, sa mbi 300 ditë të vitit të kaluar PSY i kaloi në ture në SHBA, Europë e duke përfunduar në Azi ndërsa performoi edhe në ceremoninë e betimit të presidentes Park Geun-Hye. 36 vjecari, arriti që falë kësaj kënge, të fitojë super çmime dhe të shndërrohet edhe në një milioner.

Share Button