G7 paralajmëron sërish Rusinë

Samiti i G7 i dërgoi ultimatum Rusisë, të stabilizojë lindjen e Ukrainës ose të përballet me më shumë sanksione. Liderët e kombeve më të industrializuara të botës mbajtën takimin dyditor në Bruksel, i cili ishte planifikuar m herët të zhvillohej në Soci të Rusisë, por zhvillimet e marsit, aneksimi i Krimesë dhe trazirat separatiste në lindje të Ukrainës, kanë sjellë pezullimin e Moskës. Samiti u mbajt pa praninë  e presidentit rus, Vladimir Putin. Rusia duhet të tërheqë trupat nga kufiri me Ukrainën dhe të ndalë furnizimin me armë dhe luftëtarë për separatistët prorusë në qytetet lindore. Kjo ka qenë kërkesa e artikuluar qartë në samit, ndërkohë që kancelarja gjermane, Angela Merkel mbajti një qëndrim të ashpër.”Nëse nuk shohim progres për çështjet që duhet të zgjidhen, ekziston mundësia për saksione të tjera, të cilat hyjnë në fazën e ashtuquajtur të tretë. ne nuk mund të lejojmë një destabilizim të mëtejshëm në Ukrainë”, theksoi ajo. Samiti dyditor është fokusuar edhe në tregtinë, e sigurinë energjetike. Kjo çështje e fundit ka pasur gjithashtu të bëjë me Rusinë pasi Europa varet nga Moska me një të tretën e furnizimit të saj me gaz dhe naftë. Korrespondentët shtojnë se kancelarja gjermane, Merkel u tha gazetarëve vërtet se përshkallëzimi i mëtejshëm në Ukrainë, do të përballet me sanksione të tjera për Rusinë. Mirëpo, problemi është se vijat e kuqe të vendosura nga Europa janë kapërcyer edhe më parë, si sa i takon Krimesë ashtu edhe qyteteve lindore. Kjo mund të sjellë idenë në Kremlin nëse Perëndimit është duke i mbaruar boja e kuqe për vendosjen e limiteve të reja.

Share Button