Fyle: Nuk e kemi kuptuar mesazhin e Putin

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, ka thënë se BE-ja ka kontribuar në konfliktin aktual në Ukrainë, duke mos arritur t’i kuptojë deklaratat e kaluara të presidentit rus, Vladimir Putin, në lidhje me trashëgiminë e ish-Bashkimit Sovjetik. “Ne nuk e kemi marrë seriozisht mesazhin që presidenti Vladimir Putin ka dërguar tek ne disa vite më parë, kur ka thënë se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ka qenë katastrofa më e madhe e shekullit 20. Gjysma prej nesh kanë qeshur, gjysma nuk e kanë kuptuar se për çfarë ka folur. Në samitin NATO-Rusi në Bukuresht, në vitin 2008, unë kam qenë i pranishëm kur presidenti Putin ka thënë se Ukraina është një shtet artificial. Përsëri, gjysma prej nesh kanë qeshur, gjysma nuk kanë kuptuar. Tani e kuptojmë dhe tani nuk qeshim më”, ka thënë Fyle në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Pak muaj më parë, Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina dhe vazhdon të mbështesë një lëvizje të armatosur separatiste në lindje të Ukrainës. Konflikti tashmë ka marrë dhjetëra jetë njerëzish. Rusia po ashtu ka qenë e lidhur me dhunën vdekjeprurëse në protestat në Kiev, të cilat kanë shpërthyer pasi presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Viktor Yanukovych, ka braktisur një marrëveshje të rëndësishme me Bashkimin Evropian, nën presionin e dukshëm të Moskës. Fyle ka thënë se Brukseli nuk ka arritur ta bindë Rusinë që t’i shohë marrëdhëniet me Evropën si lojë me rezultat fitues dhe jo zero. Ai po ashtu ka shprehur shqetësim për mospërfilljen që ka treguar Moska ndaj konventave ndërkombëtare, përfshirë Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, i cili garanton integritetin territorial të Ukrainës, dhe Marrëveshjen e Gjenevës, të arritur muajin e kaluar, me qëllim të parandalimit të dhunës së mëtejshme në Ukrainë.

Share Button