Fundoset trageti në Kore, mister numri i të zhdukurve

Qindra vetë konsiderohen të zhdukur pas përmbysjes dhe fundosjes së një trageti me 476 persona në bord, në brigjet e Koresë së Jugut.
Shumica e pasagjerëve ishin studentë, që po udhëtonin nga porti i Incheon-it në veriperëndim, drejt ishullit jugor të Jeju-së. Për operacionin madhor të kërkim-shpëtimit në zonë po përdoren me dhjetra anije dhe helikopterë. Disa orë pas fatkeqësisë, të paktën 290 vetë vazhdojnë të mbeten të zhdukur. Më herët, zyrtarët koreano-jugorë deklaruan se 368 persona ishin nxjerrë nga uji, por shumë shpejt pas kësaj dolën me pohimin se ka pasur gabime në numërim, dhe bilanci i rishikuar i të shpëtuarve tani është diku tek 180. Zyrtarisht, nga incidenti regjistrohen dy të vdekur e 13 të lënduar. Pamjet filmike tregojnë tragetin të kthyer në një anë, e thuajse tërësisht të mbushur me ujë. Vetëm një pjesë e vogël e tij është ende e dukshme.Sipas pohimeve të një studenteje, bërë për median lokale, miqtë e saj kishin mbetur të bllokuar. Vajza rrëfeu se në momentin e kthimit të anijes, u ishte thënë të mos lëviznin nga vendi, pasi konsiderohej e rrezikshme.
Pas kësaj, kur shokët e mi tentuan të largoheshin nuk arritën dot, sepse kalimi ishte bllokuar nga uji, shton e mbijetuara. Trageti me emrin Sewol kishte një kapacitet prej 900 personash, por nuk transportonte veçse gjysmën, ndaj mbingarkesa nuk llogaritet si shkak për incidentin.
Për të zbuluar se çfarë ndodhi, autoritetet janë përqendruar te pohimet e dëshmitarëve okularë, se përpara fundosjes është dëgjuar një zhurmë e fuqishme, e cila e bëri anijen të ndalojë në vend.

Share Button