Francë, sot raundi i parë i zgjedhjeve parlamentare

Fillon raundi i parë i votimit për zgjedhjet parlamentare në Francë, raporton Anadolu Agency (AA).

Qytetarët me të drejtë vote sot iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 577 deputetët e Kuvendit Kombëtar. Në këto zgjedhje për mandatin e deputetit garojnë 7.877 kandidatë.

Bëhet e ditur se në raundin e parë do të hyjnë direkt në parlament kandidatët që marrin të paktën 50 për qind të votave, ndërsa raundi i dytë do të mbahet për kandidatët të cilët nuk kanë arritur 50 përqindëshin.

Në raundin e dytë i cili do të mbahet me 18 qershor do të mund të marrin pjesë kandidatët të cilët kanë marrë mbi 12.5 për qind të votave në raundin e parë dhe deputetë do të zgjidhen ato kandidatë të cilët kanë marrë më shumë vota.

Ndërsa formimi i qeverisë do të bëhet nga ajo parti e cila merr shumicën, mbi 289 deputetë, dhe në rastin nëse asnjë parti nuk e arrin këtë shifër mund të formohet koalicioni.

Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të drejtën e votës e kanë 46 milionë francezë brenda vendit dhe 1.3 milionë të tjerë në territoret jashtë shtetit.

Në zgjedhjet të cilat mbahen nën gjendjen e jashtëzakonshme do të jenë në detyrë afërsisht 50 mijë forca policore, të xhandarmërisë dhe ushtarë në 69 mijë qendra votimit.

Procesi i votimit i cili ka nisur në orën 08.00 me orën lokale do të përfundojë në orën 18.00 në qytetet e vogla dhe në orën 20.00 në qytetet e mëdha, ndërsa orari në rajonet jashtë vendit do të ndryshojë.

266 deputetë nuk rikandidojnë

Bëhet e ditur se një numër rekord i deputetëve nuk kanë rikandiduar sërish. Mësohet se 266 deputetë të cilët kanë qenë në periudhën e mëparshme kanë preferuar të mos rikandidojnë.

Zgjedhje të rëndësishme për Macron

Arritja e shumicës në zgjedhjet e përgjithshme dhe në këtë mënyrë formimi i qeverisë kanë një rëndësi të madhe që presidenti francez Emmanuel Macron të përmbushë premtimet e tij. Disa ekspertë i kanë vlerësuar zgjedhjet e përgjithshme si raundi i tretë i zgjedhjeve presidenciale me dy raunde.

Sipas sondazheve të fundit të bëra me 7-8 qershor nga institucioni hulumtues Ipsos-Sopra Steria në rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme bëhet e ditur se lëvizja Marshimi Republikan parashikohet të marrë shumicën me 397 – 427 deputetë. Ndërsa në vendin e dytë Partia e Republikanëve në qendrën e djathtë (LR) me 95 – 115 deputetë, Partia Socialiste (PS) me 22-32 deputetë. Ndërsa Partia e Frontit Kombëtar (FN) e drejtuar nga ekstremistja e krahut të djathtë Marine Le Pen e cila në zgjedhjet presidenciale arriti sukses duke ardhur deri në raundin e dytë dhe e cila mori votën e 10,6 milionë votuesve është parashikuar se do të marrë 2 deri në 15 deputetë.

Në mesin e partive që do të garojnë në zgjedhje ndodhet edhe partia e formuar nga turqit. Partia Barazi dhe Drejtësi (PEJ) e cila është formuar në vitin 2015 nga emigrantët në Francë ka nxjerrë 52 kandidatë në të gjithë vendin për zgjedhjet e përgjithshme ku ajo merr pjesë për herë të parë.

Share Button