Francë, shtyhet vendimi për ekstradimin e Haradinajt

Gjykata e Apelit në qytetin Kolmar të Francës lindore, shtyu për datën 6 prill vendimin lidhur me kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Jam peng politik dhe procesi është një abuzim me ligjin dhe drejtësinë”, ka thënë Haradinaj.

Serbia pretendon se ka ofruar prova të reja që nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm, në vitin 2008 dhe më pas në vitin 2012, në një rigjykim të pjesshëm.

Ramush Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze, në bazë të një urdhër-arresti serb të lëshuar 13 vjet më parë. Më 12 janar, Gjykata e Apelit në Kolmar e liroi me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradim. Ndalimi i tij nxiti reagime të ashpra në Kosovë, ku u mbajtën edhe protesta me kërkesën për lirimin e tij.

Share Button