Forumi i Singaporit: Ftesë për krijimin e një karte të përbashkët etike midis ndjekësve të feve

Organizata Islame për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (ISESCO) në bashkëpunim me Fondacionin e Thirrjes Islame në Singapor, zhvilluan në Singapor forumin e dytë të drejtuesve të qendrave kulturore dhe OJQ-ve islame, që veprojnë jashtë botës islame. Tema e forumit ishte “Roli i OJQ-ve islame në promovimin e kulturës së paqes: Sfidat dhe perspektivat”.

Në këtë eveniment morën pjesë delegacione të qendrave kulturore dhe shoqatave islame nga Azia Juglindore, Paqësori, Evropa dhe Amerika Latine, midis të cilëve edhe Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, me Drejtorin e tij, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj. Vlen të përmendet se në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm Dr. Mohammed Abdul-Karim Al-Issa, Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Botërore Myslimane dhe zyrtarë të lartë të shtetit të Singaporit.

Punimet vunë në dukje nevojën për të promovuar dialogun me pasuesit e feve të tjera, në shërbim të një atmosfere mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, mbështetur në parimin e vëllazërisë njerëzore, të ndërtuar mbi një kulturë paqedashëse. Për këtë qëllim u propozua hartimi i një karte të përbashkët etike midis ndjekësve të feve, e cila do të formojë parimet e dialogut dhe të paqes në interes të bashkëjetesës, bashkëpunimit humanitar dhe respektit të ndërsjellë.

Forumi u bëri thirrje qendrave kulturore dhe OJQ-ve islame jashtë botës islame, që të paraqesin imazhin e vërtetë dhe tolerant të fesë islame, si dhe të punojnë për përmirësimin e imazhit të saj, të deformuar prej medias. Ai rekomandoi që këto qendra e OJQ të koordinohen më tej dhe të ndërlidhen përmes Këshillit të Lartë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, organizëm ky që vepron në kuadër të ISESCO-s. Ndërsa ISESCO të organizojë ditët kulturore rreth Botës Islame në Azi, Evropë dhe Amerikë në bashkëpunim me qendrat kulturore dhe OJQ-të islame në këto rajone.

Në fund të këtij aktiviteti, të pranishmit përshëndetën nismën “Ambasadorët e Rinisë Myslimane për Paqen Botërore” dhe kërkuan miratimin e një mekanizmi të ndërmjetësimit kulturor, për të nxitur dialogun dhe paqen mes kulturave dhe qytetërimeve. Ata gjithashtu vunë në dukje rezultatet e programit të Ambasadorëve të Vullnetit të Mirë të ISESCO-s si dhe bënë thirrje për përfshirjen e “Ambasadorëve të Rinisë Myslimane për Paqen Botërore” për të operuar në koordinim me të. AIITC

whatsapp-image-2017-10-16-at-11-57-13 whatsapp-image-2017-10-16-at-11-59-10

Share Button