Fond për të ndihmuar të varfrit që vijnë në Mekë dhe Medine

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan paralajmëroi themelimin e një mekanizmi për të ndihmuar besimtarët në nevojë, dhe të cilët nga e gjithë bota vijnë në Mekë dhe Medinë gjatë Haxhit, raporton Anadolu Agency (AA).

Lëvizja për njerëzimin dhe qytetërimin në Stamboll organizoi një seminar “Në dritën e trashëgimisë së shenjtë”, ndërsa pjesëmarrësve mbrëmë iu drejtua presidenti i Turqisë Erdoğan i cili me këtë rast tha se ky takim është organizuar me rastin e pesë shekujve nga ardhja e trashëgimisë së Shenjtë (Mukaddes Emanetler) në Turqi.

“Mukaddes emanetler” është trashëgimi e shenjtë, apo objekte dhe gjëra që i përkisnin Profetit Muhamed dhe miqve të tij, dhe të cilat pas pushtimit të Egjiptit në vitin 1517, në Turqi i solli Yavuz Sultan Selim dhe të cilat edhe sot e kësaj dite ruhen në dhoma të veçanta në muzeun Topkapi Saraj në Stamboll.

“Është një nder i madh për popullin tonë ruajtja e trashëgimisë së shenjtë. Sinqerisht, mendoj se asnjë popull tjetër këtë nuk do të mund të bënte më mirë dhe më ndershëm se ne”, tha Erdoğan, duke shtuar se tradita gjashtë shekullore e gjatë e dërgimit të ndihmave haxhinjve të varfër të Haxhit nga Stambolli është treguesi më i mirë për sinqeritetin dhe bujarinë e popullit turk.

Duke rikujtuar se kjo praktikë osmane e dërgimit të ndihmës, e quajtur “Surr alaylari” është ndërprerë në vitin 1924, Erdoğan tha se kjo praktikë duhet të përtërihet.

“Konsiderojë se duhet të mendojmë për ripërtërirjen e kësaj tradite të bukur. Duke marrë pjesë i gjithë kombi mund të themelojmë një fond dhe një mekanizëm me të cilat gjatë tre muajve të shenjtë do të dërgojmë të gjithë ndihmën e nevojshme për besimtarët e varfër nga e gjithë bota që vijnë në Mekë dhe Medine”, tha Erdoğan.

Duke komentuar rreth krizave dhe konflikteve aktuale në rajon, Erdoğan ka thënë se luftërat e shpeshta në vendet muslimane tregojnë se muslimanët nuk i japin rëndësi të mjaftueshme vlerave simbol i të cilëve është trashëgimia e shenjtë e Profetit dhe miqve të tij.

Duke folur për konfliktet në Irak dhe Siri, Presidenti i Turqisë tha se zemra e çdo besimtari të vërtetë rënkon për shkak të kësaj, dhe shtoi se Turqia dhe populli i saj janë duke bërë gjithçka për të parandaluar gjakderdhjet në këtë rajon.

“Jemi të vetëdijshëm dhe e dimë se në rajon luhen lojëra të cilat kanë për qëllim rrezikimin e vëllazërisë dhe unitetit tonë, por më duhet të përmend me zemër të thyer edhe faktin se në këtë rajon ka prej atyre që duan ndarje të ndryshme dhe prishjen e unitetit dhe vëllazërisë të popullit. Dua që me këtë rast të theksoj se jemi duke kaluar në një periudhë ku forcimi i vëllazërisë dhe miqësisë sonë është me e nevojshme se kurrë më parë”, ka thënë Erdoğan.

Ai gjithashtu tha se lufta për një Turqi të qëndrueshme dhe të begattë edhe më tej vazhdon të jetë një luftë që i paraprinë stabilitetit të të gjithë botës islame dhe se Turqia është bërë një burim i shpresës për çdo njeri të shkelur në botë.

“Në fakt, nuk ka probleme në nivel kombëtar, por në nivele të tjera. Prandaj, përgjegjësia jonë është e madhe dhe në këtë kontekst, si popull dhe shtet kemi përgjegjësi që të zbatojmë misionin e drejtësisë në rajon dhe në botë”, përfundoi Erdoğan.

Kreu i Këshillit të Lartë Konsultativ të Lëvizjes për njerëzim dhe qytetërim Mehmet Guney i ka dorëzuar një dhuratë simbolike Presidenti të Turqisë Erdoğan, i cili më pas vizitoi edhe ekspozitën e cila është hapur në kuadër të simpoziumit në Stamboll.

Share Button