FMN paralajmëron ngadalësim në rritjen globale

Ekonomia globale mund të shkojë drejt viteve të gjata të rritjes së ngadaltë, sipas shefes së Fondit Monetar Ndërkombëtar. Christine Lagarde paralajmëroi se pa ndërmarrë veprime të guximshme, bota do të binte në grackën e kësaj rritjeje të ngadaltë. Ajo tha se ekonomia botërore do të rritet me më shumë se 3 për qind gjatë këtij viti dhe tjetrit, por ndryshueshmëria e tregjeve dhe tensionet në Ukrainë përbëjnë rreziqe. Ajo kërkoi më shumë veprim për të menaxhuar inflacionin e ulët në eurozonë. Ky nivel i ulët inflacioni është shkaktuar nga prania e niveleve më të larta të mundësive të kursimit në ekonomi, që do të thotë se eurozona nuk po rritet sipas potencialit të saj të plotë për shkak të investimeve nën kapacitet, krahasuar me Shtetet e Bashkuara apo Britaninë e Madhe.
Një gjë e tillë bën që inflacioni në eurozonë aktualisht shkon në 0.5 për qind krahasuar me 1.7 për qind në Britani dhe 1.1 për qind në Shtetet e Bashkuara.
Druajtja që vjen nga fenomeni është se mund të dëmtojë rimëkëmbjen e eurozonës, duke dobësuar kërkesën konsumatore për të mira dhe shërbime, pasi njerëzit shtyhen të mendojnë se çmimet do të bien akoma.
Inflacioni i ulët do të thotë gjithashtu vështirësi për qeveritë dhe bizneset të paguajnë borxhet e marra.
Lagarde apeloi Bankën Qendrore Europiane të ndjekë masa më lehtësuese dhe jokonvencionale monetare.
“Një periudhë e zgjatur me inflacion të ulët mund të shtypë kërkesën dhe prodhimit, e sigurisht edhe rritjen dhe vendet e punës”, theksoi shefja e FMN-së.
Këto këshilla të Lagarde gjatë një fjalimi, vijnë një ditë para një takimi të Bankës Qendrore Europiane, por që nuk pritet të nxjerrë masa shtesë për të mbështetur rimëkëmbjen.

Share Button