Finalizohet marrëveshja për themelimin e muzeut islam të Shqipërisë

Një delegacion i KMSH-së, i kryesuar nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Skender Bruçaj, ka zhvilluar një vizitë në Arabinë Saudite, në programin “Miqtë e Mbretit”, organizuar nga Ministria e Vakëfit dhe Çështjeve Islame në Arabinë Saudite.

Gjatë kësaj vizite zyrtare krahas Umres në vendet e shenjta, kreu i KMSH-së z. Bruçaj ka zhvilluar edhe disa takime të rëndësishme në Mekë, Medine dhe Xhidde. Në njërin prej këtyre takimeve dypalëshe është nënshkruar edhe marrëveshja për sponsorizimin e ngritjes infrastrukturore të Muzeut Islam të Shqipërisë, i cili aktualisht po ndërtohet si objekt i integruar brenda Kompleksit të Namazgjasë.

Themeluesi i Muzeut Islam të Mekës “Es-selamu alejke ej-juhen nebijju”, Dr. Nasser bin Misfer Al- Zahrani ka marrë përsipër arredimin e sendeve muzeale dhe maketeve, që do të shpjegojnë historinë e Islamit dhe të Profetit Muhamed (a.s.), në Muzeun, që po ndërtohet në Tiranë, i pari i këtij lloji në të gjithë rajonin.

Gjatë këtij takimi kryetari z. Bruçaj ka vizituar edhe ambientet bashkëkohore të Muzeut të Mekës, i cili do të jetë shembull edhe për ideimin e Muzeut Islam në Qendrën Kulturore të Namazgjasë në Tiranë.

Share Button