Fillon viti i ri shkollor në Maqedoni

Mbi 20 mijë nxënës sot do të ulen për herë të parë në bankat shkollore në vitin e ri shkollor 2017-2018, i cili në vend të fillimit tradicional më 1 shtator, me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës filloi sot.

Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë numri i nxënësve të regjistruar në klasën e parë është 20 mijë e 437.

Në Shkup nga gjithsej 10 komuna deri më tani janë regjistruar 6.159 nxënës.

Në shkollat e mesme janë regjistruar gjithsej 17.131 nxënës. Në dy afatet e regjistrimit në shkollat e mesme të Shkupit janë regjistruar 6.496 nxënës, kurse në komunat tjera ky numër arrin në 10.635.

Interes më të madh ka patur për arsim profesional ku janë regjistruar 9.983 nxënës, kurse për gjimnaz janë përcaktuar 6.703 nxënës.

Në gjimnazet e Shkupit janë regjistruar 2.768 nxënës, kurse në shkollat profesionale 3.407 nxënës.

Në gjimnaz në komunat tjera janë regjistruar 3.935 nxënës ndërsa në shkollat profesionale në gjitha komunat tjera janë regjistruar 6.576 nxënës.

Në shkollat e artit janë regjistruar gjithsej 224 nxënës, prej të cilëve 148 në Shkup, ndërkaq në gjimnazet e sportit janë regjistruar 221 nxënës, prej të cilëve në Shkup 173.

Nga MASH theksojnë se numrin përfundimtar të filloristëve dhe gjimnazistëve do të kenë nga mesi i shtatorit pas kompletimit të të dhënave në koordinim me komunat.

– Ministrja e Arsimit dhe Shkencës uron për vitin e ri shkollor

“Para jush është një faqe e re e jetës suaj, e panjohur, por emocionuese. Po hyni në botën magjike të shkronjave dhe numrave, në botën e njohurive dhe miqësive të reja. Duke zbuluar sekretet e mësimit, do të zbuloni se shkolla është një fushë e madhe magjike lojrash, e cila pret që të pushtohet, sepse pas çdo shkalle do të mësoni njohuri të reja dhe do të arrini suksese të reja”, thuhet në letrën e ministres së Arsimit dhe Shkencës, Renata Trendovska-Deskoska.

Share Button