Fillon në Tiranë takimi i Komitetit Ushtarak të NATO-s

Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, mbahet sot takimi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, me pjesëmarrjen e shefave të shtabeve të përgjithshëm të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës, ku i pranishëm është edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes së takimit që i zhvillon punimet deri më 17 shtator, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa gjatë ditës do të vazhdojnë sesionet e mbyllura për mediat.

Në takimin i cili organizohet nën mikpritjen e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, do të diskutohet për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe do të jepen rekomandime për vazhdimësinë e misionit “Resolute Support” në Afganistan dhe KFOR Kosovë. Gjithashtu, do të zgjidhet kryetari e ardhshëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s, i cili do të marrë detyrën në verën e vitit 2018.

Në fund të takimit sot kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Petr Pavel dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Bardhyl Kollçaku do të mbajnë një konferencë për mediat.

Share Button