Fillon Festivali i Pestë Ndërkombëtar i Filmit të Bosforit në Stamboll

Nesër në Stamboll do të fillojë Festivali i Pestë Ndërkombëtar i Filmit të Bosforit, në të cilin Anadolu Agency (AA) është partner global i komunikimit.

Festivali mbështetet nga Drejtoria e Përgjithshme e Kinemave pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Ministria e Rinisë dhe Sportit, Kryebashkia e Stambollit, AA, TRT dhe Turkish Airlines, tha në një konferencë për media kryetari i festivalit, Ogün Şanlıer, duke shprehur falënderime për këto institucione.

Şanlıer tha se Turqia është duke hedhur hapa të sigurtë për t’u bërë vend i rëndësishëm në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e kinematografisë.

“Jemi tejet krenar që në Stamboll presim emra të shquar të kinematografisë sonë dhe asaj ndërkombëtare. Madje, ne mburremi me kontributet pesëvjeçare të festivalit në kinematografinë turke”, tha Şanlıer.

“Ne kemi marrë 3.462 aplikime nga 120 shtete, ndërsa do të shfaqen gjithsej 107 filma nga 39 shtete, që nga Brazili e në Indi, nga Irani në Kirgistan”, tha Şanlıer.

Së bashku me të apasionurit pas filmave në aktivitete dhe shfaqje të filmave do të jenë edhe mysafirë si Bela Tarr, Aida Begiç, Dervish Zaim, Bobby Roth dhe Mexhid Mexhidi, njoftoi Şanlıer.

Şanlıer paralajmëroi pjesë të posaçme në kuadër të festivalit, e cila do t’u dedikohet migrantëve.

“Në programin e festivalit këtë vit, po ashtu do të organizohet pjesa ‘Ecja e gjatë’, përmes së cilës synojmë që të kuptohet, të kuptimizohet, të debatohet dhe edhe një herë të sillet në rend dite migrimi i detyruar dhe problemi i migrantëve në rajonin afër nesh dhe në vende të ndryshme të botës”, tha ai.

Regjisorja boshnjake Aida Begiç, kryetare e jurisë për filmat ndërkombëtarë të metrazhit të gjatë

Nga ana tjetër, drejtori i festivalit, Bülent Turgut, njoftoi se krahas filmave vendas, në festival garojnë dhjetë filma të huaj në kategorinë e filmave të metrazhit të gjatë, ku si kryetare e jurisë është zgjedhur regjisorja boshnjake Aida Begiç.

Filmat ndërkombëtarë që do të garojnë në këtë kategori janë si në vijim:

“Beyond The Clouds” nga Mexhid Mexhidi, “Malaria” nga Parviz Shahbazi, “Sheikh Jackson” nga Amr Salama, “A Violent Life” nga Thierry de Peretti, “Khibula” nga George Ovashvili, “Easy” nga Andrea Magnani, “Rifle” Davi Pretto, “A Father’s Will” nga dyshja e Kirgistanit Bakyt Mukul dhe Dastan Zhapar, “Marita” nga Cristi Iftime dhe “Kharms” nga Ivan Bolotnikov.

Filmat do të garojnë për çmimet në vlerë prej 50 mijë lirash turke (rreth 13 mijë dollarë), edhe atë çmimi filmi më i mirë, regjisori më i mirë, skenari më i mirë, aktori më i mirë, aktorja më e mirë, kinematografia më e mirë dhe editimi më i mirë.

Turgut tha se në festival do të shfaqet edhe premiera e filmit “Mos më lë” nga Aida Begiç, tema e të cilit është tregimi prekës i tre fëmijëve sirianë, të cilët kishin ikur nga lufta në Siri për të shkuar në qytetin turk Şanlıurfa dhe të cilët kishin ngelur së bashku edhe krahas kushteve të vështira të jetës.

“Ndërkaq, në antologjinë e tregimeve, që bëjnë pjesë jashtë garave, pjesët tradicionale kanë ruajtur vendin e tyre. Pesë filma të shkurtër nga Greqia, Maqedonia, Azerbajxhani, Uzbekistani dhe Pakistani, që janë vende partnere kulturore dhe rajonale të Turqisë, do të shfaqen nën titullin “Tregime nga rajoni i afërt”, theksoi Turgut.

Nga ana tjetër, koordinatorja e përgjithshme e festivalit, İrem Şentürk, tha se në festival do të shfaqen 43 filma të metrazhit të gjatë dhe 64 filma të metrazhit të shkurtër.

“Në pjesën e titulluar ‘Kinemaja Botërore’ do të shfaqen dhjetë filma të fundit të emrave të ekspertëve të kimenatografisë botërore, duke filluar nga Woody Allen e deri te Andrey Zvyagintsev, si dhe nga Naomi Kawase e deri te Takeshi Kitano”, tha Şentürk.

“Një nga filmat më emocionues të kësaj pjese do të jetë ‘Wonder Wheel’. Premiera e filmit të shumëpritur të Woody Allen do të shfaqet në Festivalin e Pestë Ndërkombëtar të Filmit të Bosforit”, shtoi ajo.

Shfaqja e filmave do të bëhet në kinema të ndryshme në Stamboll, ndërsa hapja realizohet me shfaqjen e filmit “Suburbicon” me regji nga George Clooney. Festivali do të përfundojë më 26 nëntor.

Share Button