FIFA, 38 milion dollarë shpërblim për fituesin e Botërorit 2018

Këshilli i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA) në takimin e sotëm në Kolkata solli vendimin që fondi shpërblyes për Kupën e Botës 2018 në Rusi të jetë 400 milionë dollarë, vlerë e cila është për 12 për qind më e lartë në krahasim me mundialin e fundit. Fituesit të Botërorit do ti takojë shpërblimi prej 38 milion dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas vendimit të Këshillit të FIFA-s, të gjitha 32 përfaqësuesve pjesëmarrëse në mundialin në Rusi, do t’u takojnë së paku nga tetë milion dollarë, vlerë e njëjtë si katër vjet më parë, kur fondi shpërblyes ishte 358 milionë dollarë.

Gjermania, si kampion botëror i vitit 2014, mori 35 milionë dollarë, ndërsa Argjentina e cila u radhit e dyta mori 25 milionë dollarë.

Këshilli FIFA-gjithashtu ka ratifikuar vendimin e Byrosë së Këshillit të 6 shtatorit 2017 për përmirësimin e rregullores së kandidimit për organizimin e Kupës së Botës dhe emërimin e grupit të punës, që do të vlerësojë kandidaturat.

Sipas rregullave të garës, në Grupin e Punës duhet të jenë anëtarë të Komitetit të Auditimit dhe Harmonizimit, Komitetit për menaxhimin, Komitetit për organizimin e garës, dhe zëvendës sekretarët e përgjithshëm, Zvonimir Boban dhe Marco Villiger.

Share Button