FH: Shqipëria dhe Kosova, ndryshim pozitiv

Organizata Freedom House ka publikuar raportin e saj vjetor “Vendet në Tranzicion”, mbi proceset demokratike të 29 vendeve në zhvillim, në rajonin e Evropës Qendrore dhe Euroazisë.

Sipas Freedom House Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar përparim të lehtë krahasuar me vitin e kaluar.

Për Shqipërinë, kanë ndryshuar pozitivisht vlerësimet për kategoritë e “Procesit elektoral” dhe “Qeverisjes demokratike në nivel qendror”.
Të dy këta sektorë janë përmirësuar me 0.25 pikë, në një shkallë nga 1 në 7.

Pesë fushat e tjera që Freedom House vlerëson në këtë raport vjetor dhe që në rastin e Shqipërisë nuk kanë ndryshuar krahasuar me vitin e kaluar janë: “Shoqëria civile”, “Media e pavarur”, “Qeverisja demokratike në nivel lokal”, “Kuadri ligjor dhe pavarësia e gjyqësorit” dhe “Korrupsioni”.

Ne raport theksohet se Shqipëria arriti ndryshim pozitiv për herë të parë që nga viti 2008, falë zgjedhjeve parlamentare të muajit qershor vitin e kaluar dhe transferimit paqësor të pushtetit.

Vlerësimi për demokracinë në Shqipëri, që përbën mesataren e shtatë sektorëve të vëzhguar, është përmirësuar nga 4.25 në 4.18, në një shkallë nga 1 në 7, ku 1 përfaqëson nivelin më të lartë të përparimit demokratik dhe 7 nivelin më të ulët.

Në lidhje me sistemin e qeverisjes vendore në Shqipëri, raporti “Vendet në Tranzicion 2014” shprehet se qeveritë lokale mbeten të dobëta, të fragmentuara dhe subjekte të manipulimit politik nga qeveria qendrore.

Përsa i përket Kosovës, fushat që pasqyrojnë përmirësim krahasuar me vitin e kaluar, janë “Procesi elektoral”, “Shoqëria civile” dhe “Qeverisja demokratike në nivel qendror”, të cilat janë përmirësuar me 0.25 pikë.

Në katër fushat e tjera, “Media e pavarur”, “Qeverisja demokratike në nivel lokal”, “Kuadri ligjor dhe pavarësia e gjyqësorit” dhe “Korrupsioni”, vlerësimi për Kosovën nuk ka ndryshuar nga viti i kaluar.

Në raportin “Vendet në tranzicion 2014” organizata Freedom House vlerëson dhe përparimet e arritura në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Share Button