“FETO, rrezik i madh për sigurinë kombëtare të Shqipërisë”

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, ka deklaruar se pret nga Shqipëria që të ndërmarrë hapa konkretë kundër shtrirjes së organizatës terroriste Fetullahçı (FETO) në këtë vend. Ai e ka cilësuar “organizatën e ngritur nga Fetullah Gylen, i cili është vetëm me shkollë fillore, si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Shqipërisë”.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Bayraktar ka folur në lidhje me shkollat e FETO-s në Shqipëri. Ai ka vënë në dukje se organizata terroriste FETO, në shkollat e saj në Shqipëri ka aktivitete të cilat mund të konsiderohen si një laborator i shpëlarjes së trurit. Bayraktar thotë se një sistem i tillë është një rrezik real për të ardhmen e fëmijëve shqiptar dhe Shqipërisë, ndërsa paralajmëron familjarët dhe shtetin që të marrin në konsideratë këtë situatë gjatë procesit të regjistrimeve të këtij viti.

Ambasadori ka rikujtuar se diplomat e atyre që përfundojnë studimet në shkollat e FETO-s nuk njihen nga Turqia dhe se as nuk do të njihen në të ardhmen. Ai shton më tej se nëse një nxënës përfundon studimet në këto shkolla, nuk do të ketë mundësi të vazhdojë studimet universitare në Turqi dhe se ata që kanë përfunduar universitetin e tyre këtu në Shqipëri, nuk do të cilësohen si të diplomuar në universitet.

Duke sjellë në vëmendje se veçanërisht në shkollat të cilat janë me konvikte ka aktivitete të errëta të FETO-s, Bayraktar në vijim ka thënë se FETO “i piketon” që në fëmijëri ata të cilët dëshiron që ti ketë nën kontroll në të ardhmen. Ai sjell në vëmendje gjithashtu se të ashtuquajturit kujdestarë, të cilët janë në detyrë në konviktet e tyre, zakonisht janë personat që mbajnë nën kontroll dhe zhvillojnë lidhjet e miqësisë me fëmijët, si dhe përdoren për etapën e parë të larjes së trurit të tyre.

”Punonjësit apo të ngarkuarit me punë në këto shkolla dhe konvikte shkojnë në shtëpitë e fëmijëve, duke ndërtuar një ‘sinqeritet dhe siguri’ edhe me familjet e fëmijëve nga Ulqini deri në Sarandë. Me këto vizita ata thonë ‘fëmijët tuaj janë të sigurtë tek ne. Ne po i arsimojmë, i mbajmë nën mbikëqyrje dhe i mbrojmë'”, thotë Ambasadori Bayraktar.

Ai duke theksuar se në fakt realiteti është krejtësisht ndryshe, shton: “Me kalimin e kohës në konvikte fillon edhe procesi i përgatitjes së dhënies së bazës për shpëlarjen e trurit të fëmijëve, duke iu dhënë atyre disa libra për të lexuar. Kur tek fëmija shikohen ndryshime të dukshme, atëherë atyre ju jepen libra që kanë të bëjnë me kryeterroristin Fetullah Gylen, libra këto që shpesh herë mbahen edhe pas dyerve të mbyllura. Ndërsa në finalen e këtij procesi ata iu shpjegojnë fëmijëve (nxënësve) se çfarë përfitimesh ka të jesh në një organizatë të tillë. Ndërsa procesi finalizohet me betimin e të rinjve për besnikëri ndaj FETO-s.”

Share Button