“Fenerët e Ramazanit”, simboli i këtij muaji në Egjipt

“Fenerët e Ramazanit”, të cilët janë kthyer në një nga simbolet më të rëndësishme të muajit të shenjtë të Ramazanit, edhe këtë vit kanë nisur të zbukurojnë ballkonet e shtëpive dhe rrugicat në Egjipt, shkruan Anadolu Agency (AA).

Fenerët e ndryshëm prej metali apo druri, prodhohen në të gjithë vendin, por qendra e tyre është zona Sejjide Zejneb në Kajro. Shumë ustallarë fenerësh shpalosin aftësitë e tyre në prodhimin e këtyre objekteve zbukuruese shumë ngjyrëshe. Fenerët e zbukuruar me xhama të ngjyrave shumë llojëshe serviren për qytetarët egjiptianë. Ndërsa ata të cilët zbukurojnë shtëpitë dhe ambientet e tyre të shtëpive, ankohen për çmimet tejet të larta të fenerëve.

Inas Muhammed, një zonjë nga Kajro thotë se çmimet e këtyre fenerëve këtë vit janë të shtrenjta, ndërsa vë në dukje se edhe pse të tilla ajo nuk ka hequr dorë nga blerja. “Jam një nënë me 3 fëmijë dhe kam dëshirë të blej nga një fener për çdo fëmijë. Por çmimet këtë vit qenkan rritur shumë. Çmimi i një feneri është afërsisht 8 dollarë dhe si rrjedhojë munda të marr vetëm një”.

Edhe ustai i fenerëve, Nasir Muhammed ankohet për çmimet e larta të tyre. Ai thotë se pas zhvlerësimit të monedhës në nëntor të vitit të shkuar çdo produkt është shtrenjtuar në vend. Muhammed shton se rritja e çmimit të fenerëve vjen si rezultat i rritjes së çmimeve të produkteve bazë që përdoren për prodhimin e tyre.

Muhammed thotë se një fener të vogël që një vit më parë e shisnin 1.3 dollarë, këtë vit e janë detyruar ta shesin 2.3 dollarë.

Prodhimin e fenerëve e kam mësuar nga gjyshi dhe babai, thotë Muhammed dhe më pas shton: “Përdor metal për ndërtimin e tyre. Në mënyrë që drita e tyre të dalë sa më e bukur jashtë, përdor dhe xhama me ngjyra të ndryshme. Ndërsa pas vendosjes së llambës feneri është gati për shitje”.

Krahas fenerëve të ndërtuar me metale, kohët e fundit pjesë e trendit janë bërë dhe ato të ndërtuar me dru.

Ustai i ri i fenerëve, Pasend Hani thotë se ai ndërton fenerë të ndryshme duke përdorur vetëm dru. Ndërsa vë në dukje se për të tërhequr më shumë vëmendjen e fëmijëve ai gdhend fotot e fëmijëve ose personazhe të ndryshme të filmave vizatimorë.

Hani shton gjithashtu se gjatë vitit të shkuar ka ndërtuar dhe shtitur rreth 15 mijë fenerë, por se këtë vit ky numër mund të jetë shumë më i vogël për shkak të situatës së rënduar ekonomike në vend dhe se ai është mjaftuar vetëm me 5 mijë të tillë.

Share Button