Fëmijët me Sindromën Down, ende në udhëkryq!

Shumë vite më parë, nëse nëna lindte një fëmijë me sindromën down, predispozitat ishin që të mbahej mbyllur dhe i izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë. Po ashtu disa prej tyre dërgoheshin në institucione përkatëse dhe deri diku harroheshin atje. Vitet e fundit ndërgjegjësimi për këtë sindromë ka avancuar dhe po flitet së tepërmi nga specialistet që fëmijët me sindromën down mund të integrohen në shoqëri dhe mund të bëjnë një jetë normale me pak më tepër punë dhe dashamirsi.

Në emisionin “Sondazh” që u transmetua në Radio Kontakt, u trajtua pikërisht kjo temë e cila përkonte edhe me muajin e shëndetit mendor, kryesisht edhe për sindromën down. Dëgjuesit e radios patën mundësi të merrnin pjesë në sondazh me anë të mendimit të tyre duke shënuar një nga opsionet e dhëna.

Ndjekësit e Radio Kontakt u pytën se si e shikonin çështjen kur një fëmijë me sindromën down frekuentonte mësimin me nxënësit e tjerë. Nga rezultatet e pyetsorit tregohet se rreth 42.1% e pjesëmarrësve mendojnë se fëmijët me sindromën down duhet të mësojnë në klasa të specializuara. Ky rezultat të bën të mendojme që shoqëria jonë ende nuk është gati të pranojë tjetrin kur ai eshte ndryshe, kur faktikisht këta fëmijë kanë më shumë nevojë për përkrahje. Ndërsa 26.3% mendonin se është gjë normale që të gjithëpërfshihen në klasa këta fëmijë.

Për të diskutuar në një këndvështrim psikologjik ishte e ftuar specialistja e zhvillimit Migena Kurushi, e cila shpjegoi saktësisht çfarë është sindroma down. Ajo theksoi se Sindroma Down nuk është një sëmundje, por një çrregullim kromozomik. Kjo sindromë e shoqëron fetusin që në ngjizje të tij e përgjatë gjithë jetës. Nuk ka një shkaktar shkencërisht të vërtetuar të këtij ndryshimi të kromozomeve në numër.edhe pse deri diku përmendet mosha e madhe e nënës, apo trashëgimia.

Edhe pse thuhet qe, personat me Sindromën Down nuk mund të arrijnë qëllime normale në jetë, me mbështetjen e duhur, ata munden. Ndaj specialistja e zhvillimit përmendi se trajtimi i këtyre fëmijëve duhet të fillojë shumë herët, madje që në lindje. Veçimi dhe dërgimi në institucione të specializuara nuk do i ndihmonte aq sa do e integronte shkolla sëbashku me fëmijët e tjerë.

Gjatë emisionit u përmendën edhe raste konkrete ku prindërit kishin bërë peticione për largimin nga klasa të një fëmijë me sindromën down, si pretekst që dëmton në zhvillimin normal të mësimit për fëmijët e tjerë. Këta prindër në vend që tˋi mësojnë fëmijëve të tyre empatinë dhe dashurinë, gjejnë rrugën më të shkurtër duke diskriminuar.
Në fund të emisionit u dhanë edhe këshilla për prindërit që i kanë fëmijët me sindromën down. Ata duhet të inkurajohen dhe të jenë forca për fëmijët e tyre sepse e vetmja zgjidhje është të shohin përpara duke i dhënë fëmijëve trajtimin e duhur dhe shumë dashuri.

img_8288

Share Button