Familja e Gerti Pashjat: “Gerti nuk prek armë me dorë!”

Pas vendimit të gjykatës, për të lënë në burg Gerti Pashjan, ka reaguar familja e tij. Nëna dhe bashkëshortja e tij, deklarojnë se ai nuk ka lidhje me rekrutimet e shqiptarëve në siri, dhe se Gerti nuk ka qenë kurrë atje,

Sipas tyre, përfaqësimi i Pashjas me avokat të caktuar nga shteti dhe mungesa në seancë e avokatit të zgjedhur nga familja ishte i qëllimshëm. As familja dhe as avokati nuk ishin njoftuar për zhvillimin e seancës së sotme ku do të caktohej dhe masa e sigurisë.

“Pse nuk ishte avokati që nëna e Gertit pajtoi që të ishte në procesin gjyqësor. Ne nuk donim që të kishte një avokat shtetëror, por donim që të kishim një avokat personal të marrë nga ana jonë. Për bashkëshortin tim nuk kanë asnjë fakt në lidhje me akuzën për rekrutime, ndërsa për drejtësinë shqiptare nuk di çfarë të them. Besim nuk kam”.- shprehet bashkëshortja e 30-vjeçarit.

“Nuk mendoj kurrë që djali im ka bërë vepra të tilla. Djali im nuk e prek me dorë armën, sepse i atillë është. Nuk mendoj se mund të ketë ndonjë person që mund të thotë për Gertin, më ka rekrutuar më ka çuar në Siri.”- shprehet nëna e të akuzuarit.

Familjarët e Gerti Pashjas hedhin poshtë akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa shprehen të sigurt se ai nuk ka qenë kurrë në Siri dhe nuk ka rekrutuar asnjë person për të luftuar atje.

“Nëse ka një foto që Gerti është në Siri, le ta mbajnë. Edhe Avokati i Popullit ta shikojë me përparësi këtë çështje ndaj këtyre djemve.”- shprehen familjarët e 30-vjeçarit.

30-vjeçari nga Cërriku Gerti Pashja, u arrestua një ditë më parë në Aeroportine Rinasit, teksa kthehej nga Turqia.

Sipas Balkan Web

Share Button